Rasti “Krmzov”: Akuza për kontrabandë, borxhe ndaj DAP dhe llogari bankare të bllokuara!
Biznesmeni nga Strumica Risto Krmzov, kompanitë e të cilit janë të mbuluara me kontrolle në kuadër të procedurës parahetimore për hetimin e dyshimeve për evazion fiskal dhe pastrim parash, ka qenë pjesë e lajmeve dhe artikujve në media gjatë viteve të kaluara, por është përmendur disa herë edhe nga VMRO-DPMNE, derisa partia ishte në opozitë.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski, në vitin 2020, në një konferencë për media ka reaguar pas disa artikujve dhe informacioneve mediatike, sipas të cilave, në periudhën kur, siç tha ai, qytetarët përballeshin me pandeminë e koronavirusit, institucionet të udhëhequr nga zyrtarë të LSDM-së në pushtet toleruan operacione të dyshimta dhe kontrabandë të mallrave luksoze nga bashkëpunëtorët e ngushtë të familjes Zaevi.
Pak më vonë në të njëjtin vit 2020, VMRO-DPMNE akuzoi se 5 kompani të ndërlidhura në 4 muaj, në bazë të rimbursimit të TVSH-së, kanë pompuar nga buxheti mbi 5 milionë euro. Në të njëjtën kohë, përmes zëdhënësit tjetër të partisë Naum Stoilkovski, partia pyeti nëse të gjitha këto kompani janë të lidhura me Krmzovin e përmendur, pronë e të cilit është edhe e famshmja “Villa Park” në Strumicë, apo sipas tij, vendi i preferuara i Zaevit.
Disa nga kompanitë e përmendura janë përfshirë në kronikën publikuar në të përjavshmen “Focus” në mesin e vitit 2021, kur u theksua për kompanitë që kanë pasur rritjen më të lartë në vitin e kaluar 2020. Në një kohë të tillë, kur shumica e kompanive kishin vështirësi në funksionimin e tyre dhe shënuan rënie, kompanitë e lidhura me Krmzov shënuan rritje rekord.
Gjegjësisht, njëra prej tyre është “Krmzov-MR”, e cila në vitin 2020 ka realizuar të hyra prej 3,445 milionë denarë, që është për 263 për qind më shumë se në vitin 2019, kur të hyrat ishin 950 milionë denarë.
Kompanie tjetër të Krmzov – “Agro Krmz”, aktiviteti i së cilës ishte kultivimi i frutave nga viti 2013 deri në fillim të vitit 2021, kur u shndërrua në kompani tekstili.Pikërisht atëherë të hyrat e saj u rritën për 66.652 për qind, gjegjësisht nga 3,9 milionë denarë kaluan në 2.603 milionë denarë. Në fakt, kjo kompani edhe atëherë kishte një borxh të vonuar për TVSH-në prej 48 milionë denarë.
Përveç këtyre, u përfshinë edhe 2 kompani të tjera, të cilat më parë ishin në pronësi të Krzmov. Ndryshe Krymov ende figuron si pronar në disa kompani mirëpo kompanitë kanë borxhe ndaj Drejtorisë së të Ardhurave Publike,llogari bankare të bllokuara dhe një nga kompanitë drejt procesit të falimentimit.
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski deklaroi se kjo është rezultat i shpërlarjes së parave.
“Ky është një nga rastet që lirisht mund të them se ka dyshime të bazuara se është një krim epik, i cili fatkeqësisht edhe një herë është në kurriz të buxhetit të Maqedonisë, gjegjësisht parave të popullit. Informatat fillestare janë se bëhet fjalë për shuma milionëshe të cilat janë rezultat i disa veprave kriminale, evazionit tatimor, mashtrimit tatimor dhe shpëlarjes së parave”, tha Toshkovski.
Ai ka treguar se në interes të procedurës së përgjithshme nuk mund të hyjë në detaje. Në të njëjtën linjë, prokurori republikan Ljupço Kocevski tha se bëhet fjalë për hetim paraprak dhe nuk mund të jepen të dhëna konkrete.