Rasti i Onkologjisë ende në parahetim, Mexhiti bën thirrje për epilog të shpejtë
Skandali në Onkologji mbetet pezull dhe pa epilog nga organet e hetuesisë. Nuk jepen të dhëna lidhur me procedurën para hetimore që po zhvillon prej një muaji Prokuroria Publike dhe MPB. Ajo që di publiku deri tani, janë pjesëza të deklaratave të autoriteteve sepse hetimi po mbahet hermetik.
“Sipas hetimit të deritanishëm të Prokurorisë, kjo është dera e pasme e Klinikës së Onkologjisë, ku dyshohet se pacientët, të cilët kanë marr terapi private janë futur në turnin e tretë, pikërisht nga kjo derë ku sot po zhvillohet një event i autoriteteve, të cilët kërkojnë që sa më shpejtë të zbardhet ky rast”, raporton Adna Qaili, gazetar.
Drejtoresha e Onkologjisë Klisarova nuk dha shumë detaje, por u ndërprit edhe nga Ministri Mexhiti.
“Mendoj se të gjitha akuzat se nga cila derë kanë hyre dhe fakte të ngjashme, me të vërtetë në këtë moment nuk do ta merrja të drejtën ti komentoj sepse ka hetim dhe do të dëshmohet si ka qenë! Me të vërtetë ajo do të ishte spekulative nga unë… Ja kështu mendoj se me të vërtetë kjo zgjati shumë”, tha Violeta Klisarova, Drejtoreshë e Onkologjisë.
Ministri Mexhiti tha se tani ka një praktikë të re dhe nuk do të priten gazetarët të zbulojnë skandalet, andaj do angazhohet personalisht për të dorëzuar dokumente në Prokurori.
“Bëj thirrje te Prokuroria se është fundi për të dal me fakte konkrete dhe argumente se kush ka gabuar e kush jo. Ju lutem të gjithëve, para së gjithash si doktor, ky është një presin dhe kjo ngarkesë e madhe mbi punonjësit shëndetësor të Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë, ballafaqohen me shumë punë. Është një qendër e vetme kjo e Onkologjisë dhe çdo ditë rritet numri i të sëmurëve nga kanceri”, u shpreh Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.
Drejtori organizativ Halid Matoshi tha se terapitë janë të siguruara deri në fund të vitit, por që buxheti fillestar ka qenë i pa mjaftuar dhe është dashur që të intervenohet edhe me dy aneks marrëveshje tjera. Madje Ministri Mexhiti i pëshpëriti edhe drejtorit Matoshi se në çfarë drejtimi ti përgjigjet pyetjes sonë.
“Kur erdhëm dhe u shpall tenderi i madh për terapi biologjike që kushtoi 1,2 miliard denarë, nga muaji parë vërejtëm se barnat harxhohen pa e ditur përllogaritjen. Për atë ne bëmë aneks me 120 milion den. dhe kemi pëlqimin që deri në fund të vitit të bëjmë aneks marrëveshje edhe për 140 milion denarë tjera”, tha Halid Matoshi, Drejtor Organizativ në Onkologji.
Një vit pasi Tv Alsat zbuloi Skandalin në Onkologji se ka dyshime për shitje në të zezë të terapive të shtrenjta kundër kancerit dhe keqpërdorime të tjera me pacientët që luftojnë për jetë a vdekje, tek tani Prokuroria ka ngritur para hetim dhe akoma nuk ka rezultate. Në Kuvend, gjithashtu u ngrit Komision anketues, përmes së cilit përpiqen të hedhin dritë mbi këtë problem të vjetër pre 10 vitesh. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në Maqedoninë e Veriut ka rreth 70 mijë pacientë aktiv me kancer.