Rashçe, ujërat e zeza përfundojnë në tokat e banorëve
“Për shkak të kanalizimit kjo fushë këtu nuk mbillet. Pra kjo toka këtu që e ke nuk e mbjell shkaku i kanalizimit?! Edhe shkaku i Vardarit por më shumë i ujërave të zeza, ejani dhe shikoni problemin”.
Kështu shprehet Ziber Hoxha nga fshati Rashçe e Komunës së Sarajit. Ai merret me bujqësi, ndërsa familja e tij prej 5 anëtarësh të ardhurat e vetme i ka vetëm nga kultivimi i këtyre tokave që këtë vit nuk ka arritur t’i punoj shkaku i ujerave të zeza që përfundojnë në to.
“Është kositë ara dhe nuk e kam mbledhë e unë merrem me lopë, kam fermën e lopëve ndërsa tokën nuk mund ta punoj, shiko si ka mbetur. Unë kam të drejtë ta kërkoj atë që më takon nga Komuna, në këtë pjesë dy hektar grurë më janë prishur, i kosita dhe nuk i mblodha për shkak të ujërave të zeza dhe Vardarit”, u shpreh banori i fashatit Ziber Hoxha.
Ankesa ka edhe Sali Hoxha, shtëpia e te cilit është shumë pranë kanalit me ujëra të zeza. Ai thotë se nuk mund t’i hapin as dritaret shkaku i erës së keqe.
“Kjo lagje këtu me dyer mbyllur jetojmë, kundërmon ere shumë e keqe, Ju jetoni afër këtu?! Afër vijës që kalon, por sikur të kalonte në vijë por përfundon nëpër ara siç e shihni edhe vetë. Dhe si shkak nuk mund t’i punoni as tokat?! Jo, jo as tokat por edhe kundërmimi i erës së keqe është problem”, tha Sali Hoxha.
Banoret e Rashçës thonë se Komuna e Sarajit ka premtuar që ky problem do të zgjidhet, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë nismë. Alsat kërkoi përgjigje nga Komuna e Sarajit lidhur me problemin. Nga atje thanë se janë në dijeni dhe së shërbimet adekuate të komunës kanë bërë inspektimet e duhura.
“Komuna e Sarajit është e njoftuar për problemin e kanalizimit në vendbanimin Rashçe ku shërbimet adekuate të komunës kanë bërë inspektimet e duhura. Bëhet fjalë për rrjet të kanalizimit afër 500 metra ku duhet të intervenohet dhe është e paraparë që në pranverën e vitit që vjen të përfundojë instalimi i rrjetit dhe të zgjidhet problemi”, thonë nga Komuna e Sarajt.
Për problemin ankohen mbi 40 familje, që jetojnë shumë pranë kanalit me ujëra të zeza, të cilat grumbullohen edhe nga tre fshatra të tjerë dhe përfundojnë në fushat e Rrashçes.