Maqedoni

Raporti i “Fridom Haus”, RMV-ja është sistem “hibrid ciklik”, regres në sundimin e ligjit, luftën e korrupsionit

Vendi shënon regres sa i përket sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, bën të ditur raporti i “Fridom Haus” i titulluar Shtetet në tranzicion. Raporti paralajmëron se rezultati i përgjithshëm për vendin tonë shënon 46 nga 100 pikë dhe është ndër më të ulëtit në rajon. Raporti vë në dukje edhe ekzistencën e korrupsionit afatgjatë në një nivel të lartë në Maqedoninë e Veriut dhe përplasjen e partive për ndryshimet kushtetuese të kërkuara për shkak të vetos bullgare për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Hallka më e dobët në luftën kundër korrupsionit në vendin tonë mbetet politizimi i skajshëm i gjyqësisë dhe skandalet me udhëheqësinë e Këshillit Gjyqësor Republikan, thuhet në raport.
“E tëra kjo flet për gjyqësi të pasuksesshme, mendoj se në RMV mbizotëron ndjenja se këto institucione nuk u shërbejnë qytetarëve, por vetëm disave dhe si po ecim drejt zgjedhjeve do të ishte interesante të shohim se si po lëvizin gjërat. Do të shohim se si e tëra kjo do të ndikojë në demokracinë e vendit. Pas këtij viti të vështirë do të duhet punë në nivel institucional të nxirret shteti nga kjo rënie.”, – deklaroi autorja e Raportit Kombet në Tranzicion, Aleksandra Kapri.
Epiteti themelor që përsëritet në raportin për Maqedoninë është sistem “hibrid ciklik” në të cilin ndryshimi i pushtetit dhe elitave nuk kontribuan në shfaqjen e ndryshimeve dhe reformave kryesore. Rënia, sipas raportit të “Fridom Haus”, është e dukshme edhe në rajon, ku Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina shënuan rënie, ndërsa Serbia shënoi rënien më të madhe. Ndër vendet e rajonit, rezultati për Kroacinë, Kosovën dhe Shqipërinë ka mbetur i pandryshuar në krahasim me vitin e kaluar./TVM2