Kosovë

Ramadani publikon draft-statutin evropian për Asociacionin

Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka publikuar një dokument duke iu referuar si draft-statuti evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ramadani, ka thënë se Kosova duhet të fitojë diçka të madhe si parakusht për zbatim të këtij dokumenti.

“Sidoqoftë, nëse ky dokument do të mund të ndryshohet – vështirë të thuhet, por ajo që besoj unë është që Kosova duhet të fitojë diçka seriozisht të madhe si parakusht për zbatim të këtij dokumenti”, ka thënë Ramadani.

“Sepse, ky Draft-Statut është shumë i gjerë dhe i thellë. Serioz në kompetencat që ia atribuon Asociacionit, por mbi të gjitha shumë serioz në mundësinë që ia jep Serbisë që të funksionojë brenda Kosovës. Dhe kjo sidomos në arsim dhe shëndetësi, kujdes social, në financim dhe donacione, e të ngjashme”.

Ai potencoi se ka bindjen që ky draft-statut do të jetë debat për një kohë.

Është saktësisht Draft-Statuti që i është dhënë Kryeministrit Kurti. Është më ndryshe nga ai i Edi Ramës, edhe më ndryshe nga ai i FES-it, dhe shumë më ndryshe nga ai i Serbisë.

“Po tentoj që të mos komentoj Draft-Statutin, sepse kam bindjen se ky Draft-Statut do të jetë një prej debateve të pashterrshme në Kosovë për një kohë më të gjatë”.

“Tek e fundit, ka ekspertë të fushës juridike dhe të qeverisjes lokale që mund të komentojnë me më shumë kompetencë”.

“Por, mbi të gjitha, është Gjykata Kushtetuese ajo që do ta jep verdiktin nëse ky Draft-Statut është në përputhje me Kushtetutën, në germë dhe frymë, apo nuk është i tillë”.