Shqipëri

Rama: Shqipëria mban Berlinin me këngë e valle, panairi më i madh i turizmit në botë

Shqipëria ka marrë vëmendjen e pjesëmarrësve në panairin e turizmit në Berlin, duke u promovuar si një destinacion i pasur me kulturë dhe tradita nën sloganin “Albania All Senses”. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, të cilët morën pjesë në ngjarje, ndanë momente të veçanta nga panairi në rrjetet sociale, duke theksuar prezencën e valleve dhe këngëve popullore shqiptare.

Në një atmosferë festive, ku u shfaqën elementë të kulturës shqiptare, Shqipëria është zyrtarisht vendi i nderit për panairin global të turizmit ITB-Berlin 2025. Marrëveshja për këtë rol të rëndësishëm u nënshkrua nga Ministrja Kumbaro dhe CEO i “Messe Berlin”, Mario Tobias, duke e konfirmuar Shqipërinë si “Host Country 2025”.

Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO) ka vlerësuar Shqipërinë si lider në Europë për rimëkëmbjen e flukseve turistike për vitin 2023. Gjithashtu, të dhënat e fundit nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se në dy muajt e parë të vitit 2024, Shqipëria ka mirëpritur mbi 1 milionë vizitorë të huaj, duke dëshmuar rritjen e vazhdueshme të interesit ndaj bukurive dhe traditave shqiptare.