Shqipëri

Rama mesazh për politikanët e Kosovës: Rajoni i përket Procesit të Berlinit jo ëndrrave të Kremlinit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur lajm të mirë progresin e idesë së tij për konferencë të nivelit më të lartë për Kosovën, të cilën e ka mbështetur edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Rama në një postim në Twitter, ka thënë se politikanët e Kosovës duhet ta dëshmojnë sot, me vepra e jo me fjalë, se ky rajon i përket Procesit të Berlinit jo ëndrrave të Kremlinit.

“Një lajm i mirë progresi i idesë së konferencës të nivelit më të lartë, pa afat, deri në arritjen e marrëveshjes së plotë për zbatimin e Planit Franko-Gjerman mes Kosovës e Serbisë, çka sot e mbështeti vetë Presidenti Charles Michel”, ka shkruar Rama, transmeton Telegrafi.

Më tej ai ka thënë se “rajoni ynë nuk mund të merret zvarrë nga një konflikt krejt i kotë, absurd, ku luhet me zjarrin e nacionalizmit duke prodhuar çdo ditë arsye për sherr, me veprime e mosveprime, akuza e kundërakuza, të cilat po e degradojnë përditë situatën në Veriun e Kosovës dhe po minojnë vetë ngrehinën e ndërtuar me aq shumë përpjekje të bashkëpunimit rajonal”.

“Sot kur në Bruksel ka hyrë në agjendën e punës së Komisionit përgatitja e një plani të ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike për vendet e rajonit tonë; kur Shqipëria përgatitet të presë Samitin e Parë të Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor; kur ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar, për ta çuar përpara këtë proces jetik për të ardhmen tonë të përbashkët europiane, duke forcuar lidhjet tona, ekonomitë tona, tregun tonë të përbashkët, Veriu i Kosovës po i ofron botës shfaqjen e një filmi bardhezi të Ballkanit të vjetër, i cili mund të argëtojë vetëm spektatorët cinikë në Lindjen kufijve të Bashkimit Europian…”.

Rama thotë se “politikanët e Kosovës duhet ta dëshmojnë sot, me vepra e jo me fjalë, se ky rajon i përket Procesit të Berlinit jo ëndrrave të Kremlinit dhe Kosova nuk mund të jetë pëlhura e pavetëdijshme mbi të cilën projektohen ato ëndrra, ndërkohë që disave prej tyre u duket se po pikturojnë një tablo heroike për historinë në Veriun e Republikës”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, theksoi sot se mbështet idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë dhe kjo sipas tij me qëllim uljen e tensioneve mes tyre.

Michel i bëri komentet para samitit të Bashkimit Evropian, punimet e së cilës do të zhvillohen të enjten dhe të premten, ku do të diskutohet edhe për Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Këshillit Evropian në një deklaratë për media tha se duhen hapa të qartë drejt normalizimit.

“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë që sa më parë që të jetë e mundur, për të organizuar një konferencë…”, tha Michel, raporton Telegrafi.

Ndryshe, ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për media me përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell kishte dhënë idenë për një konferencë ndërkombëtare.

Ai kishte shprehur idenë që të organizohet një konferencë me të dy liderët, atë të Kosovës dhe Serbisë me ekipet e BE-së dhe SHBA-së dhe “mos të lejohet që ata të dalin pa arritur një marrëveshje”.

“Shpresoj shumë që ideja e konferencës së nivelit të lartë do të marr vëmendje e ku do të marrin pjesë liderët e dy palëve dhe ekipet e BE-së dhe SHBA-së, dhe të mos lejohen ata të dalin pa arritur një marrëveshje, ndryshe pastaj për t’u përballur me pasojat e asaj, që do të jetë shumë e dhimbshme për të gjithë”, ishte shprehur Rama.