Shqipëri

Rama e ‘mbylli’ Ballkanin e Hapur, Vuçiqit nuk i besohet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk po beson se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha të shtunën se Ballkani i Hapur e ka kryer misionin e vet dhe se tash duhet vazhduar me Procesin e Berlinit, përcjell Gazeta Express.

Vuçiq gjithashtu u shpreh kundër asaj që tha se Rama se “duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit” dhe tha se shpreson që së shpejti do ta takojë atë.

“Nuk besoj se Rama e ka thënë këtë. Shpresoj të kem mundësi ta shoh së shpejti. Ballkani i Hapur është një ide autonome dhe autoktone e njerëzve nga Ballkani”, tha Vuçiq në TV Prva.

Ai tha se do të konsiderojë gjithmonë se çdo ide e krijuar në rajon është “më e mirë se ato që vijnë nga jashtë”.

“Kjo është shprehje e dëshirave dhe marrëdhënieve tona, jo diçka që e bëjmë nën sundimin e dikujt tjetër”, tha Vuçiq.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha dje nga Ulqini se nisma “Ballkani i Hapur” e ka përfunduar misionin për të cilin ka lindur, e që tha se ka qenë për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit.

“Procesi i Berlinit është tani më aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe e ka kryer tani atë mission për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit, sepse e kemi këtë mundësi, e kemi në Tiranë. Kemi mundësinë ta zotërojmë si proces, me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermania, nga Kancelari Scholz por edhe nga gjithë të tjerët”, ka thënë Rama në një intervistë për Euronews Albania.

Vuçiq do të ketë mundësi ta takojë Ramën, pasi kryeministri i Shqipërisë paralajmëroi vizita në të gjitha shtetet e rajonit për t’i takuar kryeministrat dhe presidentët pët t’i informuar për përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë këtë vit.

“Procesi i Berlinit është e ardhmja jonë”, ka thënë Rama.