Rajon - Botë

Raketat ruse ranë mbi Poloni, dy të vdekur, NATO në këmbë

Një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane ka thënë se raketat ruse kaluan në Poloninë anëtare të NATO-s, duke lënë të vdekur dy persona, shkruan AP.

Zëdhënësi i qeverisë polake Piotr Mueller nuk e konfirmoi menjëherë informacionin, por ka thënë se liderët e lartë po mbanin një takim urgjent për shkak të një “situate krize”.

Mediat polake raportuan se dy persona vdiqën të martën pasdite pasi një predhë goditi një zonë ku po thahej gruri në Przewodow, një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën.

Sipas raportimeve, raketat ishin të drejtuara për në Lviv të Ukrainës.

Qeveria polake ka bërë një reagim zyrtar pas rënies së raketave ruse këtë mbrëmje në fshatin polak, në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Sky News, raporton se qeveria polake konfirmon se në vend ka pasur një shpërthim, që ka vrarë dy qytetarë, duke theksuar se vendi po rrit gatishmërinë e njësive ushtarake.

Lajmin e konfirmoi edhe zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Muller, i cili sapo ka dhënë një konferencë për shtyp në kryeqytetin e vendit, në Varshavë, ku tha se qeveria po rrit nivelin e gatishmërisë së ushtrisë në përgjigje të shpërthimit pranë kufirit të saj me Ukrainën.

Duke folur para kamerave, Muller konfirmoi se dy persona ishin vrarë nga sulmet e ditës së sotme.

Ai u tha gazetarëve se qeveria po shqyrtonte nëse do të nxiste nenin 4, që do të nënkuptonte një takim të anëtarëve të NATO-s pasi të kërcënohej “integriteti i tyre territorial, pavarësia politike ose siguria”.

Çfarë është Neni 4 i NATO-s?

Sipas NATO-s, konsultimi sipas nenit 4 mund të çojë në veprim kolektiv midis 30 vendeve anëtare.

Polonia aktivizoi nenin 4 në vitin 2014 pas agresionit të mëparshëm rus në Ukrainë, një takim që rezultoi në përpjekje të mëtejshme të aleancës për të qëndruar së bashku kundër çdo agresori. Neni 4 është i ndarë nga neni 5, i cili thotë se një sulm kundër një anëtari konsiderohet si sulm kundër të gjithëve.

Sakaq Polonia nuk ka konfirmuar ende burimin e shpërthimit. Moska nga ana e saj mohon të jetë e përfshirë, duke u cilësuar deklaratat polake “provokim të qëllimshëm”.