Rajon - Botë

Radev: Bullgaria nuk vendos kushte të reja, Shkupi t’i plotësojë obligimet nga korniza negociuese

Bullgaria nuk vendos kushte të reja për anëtarësimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, tha presidenti bullgar, Rumen Radev, dhe theksoi se nga Shkupi kërkohet t’i përmbushë obligimet tashmë të marra, të përcaktuara në kornizën e negociatave.
“Ne nuk mund të ndërtojmë fqinjësi të mirë dhe një të ardhme të qëndrueshme evropiane me gjuhën e urrejtjes, me falsifikime dhe fyerje ndaj bullgarëve në tekste, me mospublikimin e arkivave të shërbimeve për persekutimin e bullgarëve në Maqedoni dhe mungesën e rehabilitimit të viktimave të pafajshme. me diskriminim të vazhdueshëm ndaj qytetarëve me vetëdije bullgare”.

“Nëse jemi një vend i përgjegjshëm anëtar i BE-së, nuk mund të heqim dorë nga këto qëndrime dhe do të vazhdojmë të shpjegojmë, të thërrasim institucionet evropiane, të gjithë liderët evropianë. Ne nuk do të lejojmë një zëvendësim të tillë të vlerave dhe parimeve evropiane”, tha presidenti bullgar.
Radev ishte në prezantimin e librit të docent doktor Spas Tashev “Lufta e bullgarëve të Maqedonisë për të drejta dhe pavarësi – 68 raste nga periudha 1944 – 1994”.