Qyteti i Shkupit vazhdon të jetë gjysmë i bllokuar, transportuesit nuk lëshojnë pe
Pas neglizhencës për një kohë të gjatë për takim me kryetaren e Qytetit të Shkupit, transportuesit presin zgjidhje nga Qeveria për borxhin prej rreth 2 milion euro. Duke vazhduar të qëndrojnë për 24 orë në rrugën “Ilindenska” pranë Qytetit të Shkupit transportuesit thonë se nëse nuk ndërhyn kryeministri për të gjetur zgjidhje, protestat mund të radikalozohen. Ata thonë se nuk do të paraqiten në konkursin individual të Qytetit të Shkupit.
“Nuk dëshirojmë të mendojmë se nuk do të na thirrin, por nëse jo me siguri do të ketë radikalizim të protestave por gjithsesi duhet të mblidhet trupi koordinues i transportuesve privat dhe koordinojmë hapat e ardhshëm”, deklaroi Kemal Muriq, transportues privat.
“Duhej të kishim mbledhje tash në 12 këshilli i Makekspres dhe të vendosim se nuk marrim pjesë në atë shpallje, sepse ajo është qesharake. Është bërë shpallje për 20 autobusë, a janë mbi 200 autobus, çka do të ndodh me kolegët tonë, do të thotë nëse unë shkoj unë jam tradhëtar atëherë, do të thotë unë të punoj të tjerët të jenë pa punë”, u shpreh Isen Halili, transportues privat.
Zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi thotë se janë të gatshëm të ndihmojnë, por jo edhe t’i marrin kompetencat Qytetit të Shkupit.
“Marrja e kompetencave është kthim prapa për 20 vite. Bëjmë thirrje që të jenë të arsyeshëm, bëjmë thirrje se askush nuk ka dëm nga bisedimet. Gjithsesi, Qyteti i Shkupit ka argumentet e veta pse mendon se janë të manipuluar dhe se janë shantazhuar, transportuesit kanë argumentet e tyre. Është mirë që një personalitet nga shoqëritë u tërhoq nga protestat dhe mendoj se është hap drejt gjetjes së zgjidhjes”, deklaroi Fartmir Bytyqi, zv/kryeministër.
Transportuesit privatë sot i vizitoi kryetari i ASH-së Arben Taravari. Ai tha se ndjen përgjegjësi që e kanë mbështetur Arsovskën në zgjedhjet lokale, por shton se nuk e kanë njohur se është njeri i tillë. Taravari i bën thirrje Arsovskës të takohet me transportuesit për të gjetur zgjidhje.
“Unë mendoj se është sjellje shumë jo korrekte prej kryetares së qytetit të Shkupit, ajo duhet të kontaktojë, të ulet me to të bisedon dhe të gjendet një farë zgjidhje se kështu nëse ka papërgjegjësi prej asaj unë mendoj se kanë të drejtë për kërkesën që e bëjnë transportuesit privat, eventualisht ti merren kompetencat dhe Qeveria të merret me këtë punë më tutje”, tha Arben Taravari, ASH.
Nga qyteti i Shkupit edhe sot nuk dolën me informata konkrete se si planifikojnë të zgjidhin problemin me borxhin prej rreth dy milionë euro me transportuesit privatë, e as me ndërprerjen e protestës për transportuesit. Autoritetet po ashtu nuk japin detaje nëse janë paraqitur transportues privat në konkursin e Qytetit të Shkupit. /Alsat.mk