Maqedoni

Qytetarët shumë pak kujdesen për shëndetin

Nga obligimet e përditshme jetësore, njerëzit ndonjëherë harrojnë më të rëndësishmen, shëndetin. Madje qytetarët kujdesin ndaj vetes e lënë në rend të fundit dhe kjo sipas mjekëve është zanafilla e çdo sëmundje. Ngritja e vetëdijes për preventivë të çdo sëmundje ishte fokusi i sotëm i Shoqatës së mjekëve amë, të cilët në ditën botërore të mjekësisë familjare mbajtën evenimentin me moto “Planet i shëndetshëm për njerëz të shëndetshëm”. Kreu i shoqatës Dragan Gjeorgjievski tha se një herë në 6 muaj çdo qytetarë duhet të shkoj te mjeku amë për të bërë ekzaminimet bazike siç janë analizat e plota laboratorike. Mjeku familjar është i detyruar të komunikoj me pacientë për t’i thirrur të matë tensionin e gjakut, glikeminë dhe analizat e gjakut, këto janë bazat që japin indicie për gjendjen tuaj shëndetësore.

“Njerëzit janë të prirë të vijnë në mjek vetëm kur të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore, por ka edhe prej tyre që vijnë pa arsye se, bie fjala, janë gërvishtur në ombrellë por nuk kanë nevojë të shkojnë as te mjeku amë. Kurse gjendja tjetër ekstreme, bie fjala, kur është mbytur në temperaturë të lartë prej 10 ditësh me frymëmarrje të vështirësuar dhe ka pritur t’i kaloj prej vetit në shtëpi. Prandaj nga masat preventive, vërejmë se është rritur numri i diabetikëve në gjeneratat e mesme dhe të reja pas periudhës së Kovidit, nga 2022 e këtej. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vërejtur këtë trend në nivel global”, tha Dragan Gjeorgjievski, Kryetar i Shoqatës së mjekëve amë.

Mjekët thanë se pandemia e virusit korona ka lënë shumë pasoja shëndetësore edhe tek ata që kanë qenë me pasqyrë të lehtë klinike nga infeksioni. Ata bëjnë thirrje që vizitat tek mjekët amë të jenë të rregullta.

“Pjesa më e madhe e studimeve dëshmojnë se pacientët të cilët kanë qenë të infektuar me virusin korona, madje edhe me forma të lehta dhe që nuk kanë marrë terapi tjera apo nuk kanë qenë në spitale, njësoj kanë rritje të glikemisë (sheqerit në gjak) dhe kanë prishje të gjëndrave tiroide, madje edhe rritje të triglicerideve, këto janë simptomat më të shpeshta post-kovid në këtë periudhë. Rritje e sheqerit në gjak mund ta trajtoj çdo mjek amë me ilaçe fillestare andaj nuk është patjetër të vizitohet endokrinologu sepse mjekësia familjare është e rregulluar të mjekoj pacientin me diabet deri para terapisë me insulinë”, theksoi Dragan Gjeorgjievski, Kryetar i Shoqatës së mjekëve amë.

Shtylla e parë e sistemit shëndetësor siç janë mjekët amë dhe specialistët e mjekësisë primare kanë ankesat e tyre lidhur me pagesat e kapitacioneve për pacientë, që marrin nga Fondi Shëndetësor. Mjekët ankohen edhe për mungesë të terminëve që pacientët e tyre kanë nevojë të ekzaminohen në mjekësinë sekondare tek specialistët internist, madje më të vështirë e kanë të gjejnë terminë për mjekësinë terciare nëpër klinika. Kjo sipas tyre ka demotivuar pacientët që të kujdesen rregullisht për shëndetin e tyre. Ata kërkojnë nga ministri ardhshëm i shëndetësisë që të rregulloj sistemin on-line të terminëve që mos të pritet 6 muaj për një ekzaminim në shëndetësinë publike, por të krijohet një listë automatike e pritjes./Alsat.mk