Qytetarët pa u induktuar nga rusofilët – të përcaktohen me votën për partitë proevropiane!
Zgjedhjet e dyfishta, parlamentare dhe presidenciale do të japin sinjale të qarta udhërrëfyese nëse vendi do të mbajë ose jo kursin euro – atlantik, do të vazhdojë të ecë drejt familjes së madhe evropiane dhe do të kultivojë marrëdhënie të mira ndëretnike dhe fqinjësore apo do të stagnojë, thotë për PRESSonline.al, analisti politik Ismet Ramdani, duke folur mbi aktualitetin politik në vend.
“RMV në asnjë mënyrë nuk duhet të devijojë nga rruga e integrimit , respektivisht nga anëtarësimi në BE, sepse çdo alternativë tjetër atë e vendos në fushën e ndikimit të Rusisë me çka perspektiva e saj do të jetë shumë e errët e paparashikueshme, e rrezikshme dhe me konflikte”, deklaroi për PRESSonline.al, Ismet Ramadani nga Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, çdo gabim apo ardhje eventuale e këtyre partive pro ruse në pushtet paraqet rrezik të lartë për vendin, do të ngadalësohet rrugëtimi euro-atlantik i vendit dhe do të përkeqësohen marrëdhëniet ndëretnike dhe fqinjësore.
“Nëse në këto zgjedhje presidenciale dhe parlamentare jepet vota në shumicë për partitë politike të cilat pothuajse pa e fshehur fare, po proklamojnë largim nga opsioni euro-atlantik dhe afrim me opsione që kanë të bëjnë me ndikim të Rusisë. Këto parti janë të udhëhequra nga struktura të VMRO-DPMNE-së e cila për një dëshirë të madhe për të marr pushtetin për interesa lukrative janë në gjendje që të rrezikojmë edhe ardhmërinë e shtetit, duke u vendosur në konflikt permanent me shtetet fqinje dhe inskenim të tensioneve ndëretnike brenda për brenda shtetit”, nënvizoi Ramadani.
Ai potencon se për të shmangur devijimet drejt rrugës euro-integruese duhet në këto zgjedhje qytetarët pa u induktuar nga rusofilët të përcaktohen me voton e tyre për ato subjekte politike të cilat qartë dhe mirë janë të orientuara drejt anëtarësimit në BE.