Maqedoni

Qytetarët e Maqedonisë të pakënaqur nga funksionimi i shtetit

Sondazhi i ri i zhvilluar nga Qendra për Hulumtime Anketuese të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) në Maqedoninë e Veriut tregon pakënaqësi me drejtimin e vendit, mbështetje të fortë për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe rritje të perceptimeve pozitive për Kinën dhe Turqinë.

Të pyetur për drejtimin e vendit, vetëm 13% e maqedonasve thanë se vendi po lëviz në drejtimin e duhur ndërsa 58% thanë se po lëvizte në drejtimin e gabuar. Njëzet e tetë për qind mbetën neutral.

“Me rritjen e inflacionit dhe çmimit të energjisë dhe sfidave të tjera ekonomike me të cilat përballet Maqedonia e Veriut tani, të dhënat tona tregojnë se njerëzit nuk besojnë se vendi po ecën përpara në drejtimin e duhur”, tha Pol Mwkkarthi, Drejtor Rajonal i Evropës për IRI. “Politikëbërësit në nivel kombëtar do të duhet të qëndrojnë të fokusuar në çështjet ekonomike nëse duan që këto shifra t’i ndryshojnë ”.

Sondazhi zbuloi gjithashtu mbështetjen e fortë për anëtarësim në BE, pavarësisht nga rënia prej 11 pikë përqindjeje nga nëntor 2021. Shtatëdhjetë e tre për qind të maqedonasve duan të anëtarësohen në BE, ndërsa vetëm 24 për qind preferojnë të mos anëtarësohen.

“Është shumë inkurajuese të shohësh një mbështetje kaq të fortë për anëtarësim në BE, sepse ka aktorë të tjerë jodemokratikë që punojnë shumë për të përmirësuar pozitën e tyre brenda vendit,” tha Mëkkarthi.

Sondazhi zbuloi se 87% e maqedonasve janë plotësisht dakord ose deri diku dakord që interesat e vendit shërbehen më së miri me marrëdhënie të forta me Turqinë. Gjashtëdhjetë e pesë për qind të njëjtën e mendojnë për Kinën. Këto shifra paraqesin një rritje të vogël nga sondazh i mëparshëm i IRI-it, si për Turqinë ashtu edhe për Kinën.

Metodologjia
Sondazhi u zhvillua në emër të Qendrës për Hulumtime Anketuese nga Brima, kompania për hulumtime të tregut (anëtare e Taylor Nelson, Sofres dhe Gallup International). Të dhënat u mblodhën prej 23 shtator deri më 13 tetor 2022, duke përdorur mostër të stratifikuar shumëfazorе përmes intervistave ballë për ballë në shtëpitë e të anketuarve. Në nivel kombëtar u anketua mostër përfaqësuese prej 1207 të anketuarve prej moshës 18 vjeç e më të vjetër. Të dhënat u ponderuan sipas sipas moshës, gjinisë, rajonit, vendbanimit (urban/rural) dhe përkatësisë etnike. Marzhi i gabimit është ± 2,8 pikë në nivelin 95% të besimit. Shkalla e përgjigjes është 69%.

Ky sondazh u zhvillua me ndihmën e Fondacionit Kombëtar për Demokraci.