Kosovë

Qytetarët e Kosovës nga sot do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen

50 qytetarë të Kosovës, fitues në kuizin e Qeverisë, janë udhëtarët e parë që përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se nga sot po hiqet një padrejtësi e madhe, e po fitohet një e drejtë e rëndësishme.

“Kjo ditë është një ditë e rëndësishme, po hiqet një padrejtësi e madhe, e po fitohet një e drejtë e rëndësishme, e drejta e udhëtimit pa viza në Zonën Schengen. E bashkë me të po forcohet edhe pasaporta e Republikës së Kosovës, më të cilën qytetaret tanë do të mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende më shumë. Forcimi i dokumenteve tona të udhëtimit krahas përfitimeve të përditshme është forcim i dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare. Këtë të drejtë të fituar me vështirësi duhet ta gëzojmë me përgjegjësi, të respektojmë kërkesat e kriteret, sepse kështu vlerësojmë dhe lartësojmë shtetit tonë. Kudo që të udhëtojmë të kujtojmë e kurrë mos të harrojmë që shtëpia jonë është Kosova jonë e dashur”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se liberalizmin e vizave do të shfrytëzojnë të gjitha bizneset për investime si dhe studentët dhe familjarët për vizita të ndryshme.

“Pra nuk ka më burokraci të panevojshme, por do të ketë mundësi në shtete e zonës Schengen të vizitoni familjarët tuaj, jo vetëm vizita private, por edhe bizneset do të kenë mundësi të zgjerojnë fushën e tyre të aktivitetit , të sjellin investime më të mira dhe më të qëndrueshme, studentët dhe të rinjtë do të kenë mundësi, jo vetëm te eksplorojnë mundësi të reja për studime dhe për kualifikim por të shijojnë artin, kulturën, sportin dhe të tjerat”, theksoi Donika Gërvalla, Ministre e Jashtme e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se me përkushtim të palëkundur, populli i Kosovës dëshmoi se nuk dorëzohet dhe nuk heq dorë kurrë nga vendi i merituar në familjen evropiane. Edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar Kosovën për liberalizimin e vizave. Ai këtë e ka quajtur si një arritje të merituar.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen. Por, pavarësisht se Spanja është pjesë e Schengenit, kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë në këtë shtet, pasi Madridi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e as pasaportat e saj. Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera. Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen./Alsat.mk