Quçuk kërkoi shtyrjen e votimit të raportit për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian
Raportuesi në Parlamentin Evropian për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Quçuk, ka kërkuar shtyrjen zyrtare të votimit për raportin në PE, i cili ishte planifikuar për në fund të qershorit, kumtuan nga shërbimi për shtyp i Quçuk.
“Jam i bindur se periudha e ardhshme para votimit të raportit do të jetë një test serioz për elitën politike në Maqedoninë e Veriut dhe do të masë gatishmërinë e vendit për të vazhduar në rrugën e integrimeve evropiane, përmes zbatimit të ndryshimeve të nevojshme kushtetuese. Përndryshe, kritikët që nuk besojnë në aspiratat evropiane të Maqedonisë së Veriut mund të rezultojnë të kenë të drejtë. Në të dyja opsionet, Parlamenti Evropian do të ketë një vijë të qartë përgjatë së cilës do ta votojë raportin me shumicë të madhe në vjeshtë”, tha Ilhan Quçuk.
Sipas raportuesit të PE-së për Maqedoninë e Veriut, shtyrja e votimit do të ndihmojë në arritjen e një dialogu konstruktiv dhe në komisionin e punëve të jashtme të PE-së do të kontribuojë në forcimin e besimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, si dy vende fqinje, të cilat kanë një të ardhme dhe aspiratë të përbashkët në familjen evropiane.