Maqedoni

Qeveria nuk tërhiqet nga taksa ekologjike

Taksa ekologjike prej 3.5 denarë pa TVSH për karburantet dhe ulja e TVSH-së për energjinë elektrike nga 18 në 5 për qind do të jetë pjesë e agjendës së seancës së nesërme të qeverisë. Një sërë reagimesh nga odat ekonomike, por edhe në rrjetet sociale nuk ia ndryshuan mendjen qeverisë nga qëllimi për t’i futur këto masa. Pritjet e ministrit të financave, Fatmir Besimit janë se nga 1 korriku, dy zgjidhjet ligjore do të fillojnë të zbatohen, megjithëse për ta tek tani duhet të bëhen ndryshime në ligjet ekzistuese dhe duhet të marrin dritë jeshile nga deputetët në kuvend.

Qeveria do të shkojë me propozim që të vlejnë nga 1 korriku dhe me qëllim që të mund të votohet në Kuvend në atë periudhë. Për të qenë i saktë, në asnjë moment nuk thashë që Qeveria mendon të tërhiqet, thashë që Qeveria nesër merr vendim, nuk mund të flas në emër të gjithë Qeverisë në kuptim të asaj kur merren vendimet në një seancë. Në këtë pjesë, kompetencë e Ministrisë së Financave është vetëm tatimi mbi vlerën e shtuar – tha Fatmir Besimi – Ministër i Financave.

Ministria e Mjedisit Jetësor do të duhet të propozojë ndryshime në Ligjin për Mjedisin Jetësor ku do të vendosë taksën ekologjike prej 3.5 denarë për benzinën dhe dizelin. Alsat i kërkoi Ministrisë qëndrim nëse ka filluar procesi i ndryshimeve në Ligj, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje. Futja e taksës ekologjike për Qeverinë është pjesë e agjendës së gjelbër me qëllim që vendi të investojë në burime të ripërtëritshme të energjisë. Komuniteti i biznesit reagoi se nuk ishte koha për taksë të re duke pasur parasysh krizën e Kovid 19 që do të ishte presion shtesë mbi ekonominë. Nga ana tjetër, ulja e TVSH-së u vlerësua nga ekonomistët si një masë e përkohshme sepse TVSH-ja e ulur do të vlejë deri në 1 korrik 2023, e cila më pas do të kthehet në 18 për qind .