Qeveria nuk planifikon që të rritet mosha e pensionimit në 67 vjeç
Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva tha se nuk planifikohet që të rritet kufiri i moshës së pensionimit, ashtu siç ka propozuar Këshilli Fiskal me qëllim që të eliminohen rreziqet për mirëmbajtjen e Fondit Pensional.
“Në këtë moment atë që e bëmë është harmonizimi i rritjes së pensioneve për 5.000 denarë. Kemi metodologji aktive, kemi ligj sipas të cilit punohet. Shohim se si t’i stabilizojmë të gjitha gjendjet, ashtu mbetemi të përkushtuar në gjendjen në Fondin dhe do t’i shqyrtojmë të gjitha gjendjet si të kemi sistem stabil. Në këtë moment, nuk mendohet për atë që ishte propozim nga ana e Këshillit Fiskal”, deklaroi Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë.
Momentalisht, mosha e nevojshme për të dalë në pension është 62 vjeç për gratë dhe 64 vjeç për burrat, me kusht që të kenë minimalisht 15 vjet punë. Por, Këshilli Fiskal i cili është trup i pavarur dhe harton analiza dhe mendime për supozimet makroekonomike dhe fiskale dëshiron që ta rrit kufirin e moshës për pension në 67-vjet.
“Duke e pasur parasysh uljen e ndjeshme të papunësisë, mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe profesionale, Këshilli Fiskal rekomandon fuqishëm që nga viti 2026 të rritet kufiri i moshës për pensionimin e burrave dhe grave në 67-vjeç” – Këshilli Fiskal.
ARSYETIMI I KËSHILLIT FISKAL
Ulja e ndjeshme e papunësisë
Mungesa e fuqisë punëtore profesionale
Plotësisht, Këshilli kërkon që të rritet edhe shkalla e kontributeve për Fondin Pensional, prej 18,8% momentalisht deri në 21% në vitin 2029. Rrezik për mirëmbajtjen e Fondit Pensional është edhe rritja e numrit të pensionistëve në nivel vjetor prej 1.500 deri në 1.700, por edhe emigrimi i të rinjve jashtë vendit. Lidhja e Sindikatave, propozimin e quan joserioz.
“Edhe në të kaluarën kemi qenë dëshmitarë të propozimeve të këtilla joserioze edhe atë nga njerëz të cilët nuk janë pjesë e punëtorëve, ndërkaq në dëm të punëtorëve. Theksojmë se masat e këtilla të shpejta nëpërmjet rritjes së shkallës së kontributeve ose vazhdimit të moshës së pensionimit, për të mbuluar deficitin e Fondit Pensional, në plan afatgjatë nuk japin fryte, por të kundërtën, problemet strukturore kanë mbetur të pazgjidhura dhe problemet kanë mbetur të pazgjidhura dhe janë përsëritur”, deklaroi Sllobodan Trendafillov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave.
Sipas të dhënave të fundit të Fondit Pensional, në Maqedoninë e Veriut ka mbi 342 mijë pensionistë. Pensioni mesatar në vend është 25,366 denarë. Raportet e Revizionit ndër vite theksojnë se Fondi Pensional ka deficit të mjeteve për pagesën e pensioneve. Në vitin 2022 prej buxhetit shtetëror janë transferuar afërsisht 530 milionë euro. Vrima financiare mes të ardhurave dhe shpenzimeve të Fondit Pensional është rreth 33,5%. Praktikisht, çdo pensionistit të tretë, pensioni i është paguar nga buxheti i shtetit, në vend se nga Fondi Pensional. /Alsat.mk