Maqedoni

Qeveria është në pritje të përgjigjes së Francës pas miratimit të propozimit nga parlamenti bullgar

Ndonëse nuk dihet një datë konkrete, Qeveria pret që ditëve në vijim propozimi francez për zhbllokimin e procesit integrues të arrij në Shkup. Burime nga Ministria e Jashtme thonë shkurt për Alsat se në javën që pason propozimi francez mund të arrijë në adresë të tyre, por pa precizuar saktësisht ditën edhe pse shpresat për tejkalimin e bllokadës mund të shuhen më 30 qershor.

Ndërkohë opozita pretendon se propozimi francez i miratuar në parlamentin bullgar nuk është ai të cilin sipas tyre e propagandon Qeveria. Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski në një intervistë për Sitel ka deklaruar kërkesat bullgare do të jenë pengesë edhe për Qeveritë e ardhshme.

“Qëllimi i Osmanit nuk korrespondon me deklaratat që i jep dhe mundohet të na e shet neve me një trik të thjeshtë se korrigjimi i dy fjalive në pozicionin bullgar përmes një amendamenti në parlamentin bullgar nënkupton se janë përmirësuar punët. Jo, janë të njëjtat. E para nuk njihet gjuha maqedonase. Thuhet se dyja palët duhet japin interpretimet e tyre dhe neve e dimë se bullgarët do të thonë se gjuha maqedonase është dialekt i gjuhës bullgare. E dyta, figurat historike të gjitha shkruhen si bullgar, që do të thotë neve jemi dru pa rrënjë, nuk ekzistojmë si komb dhe jemi kombi kimik i shpikur. E treta insistohet në hapjen e Kushtetutës pa pasur garanci se kjo do të jetë kërkesa e fundit e bullgarëve”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së .

Pushteti pretendon të kundërtën. Sipas LSDM-së, për gjuhën dhe historinë maqedonase nuk bisedohet. Socialdemokratët akuzojnë VMRO-DPMNE-në për shpërndarjen e lajmeve të rreme.

“Për gjuhën maqedonase, identitetin maqedonas dhe sendërtimin tonë nuk ka dhe nuk do të ketë bisedime. I gjithë opinioni publik dhe ndërkombëtarë është dëshmitarë i qasjes destruktive të VMRO-DPMNE-së dhe Hristijan Mickoskit. Në kohën kur vendoset për të ardhëm Evropiane të vendit, Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja kanë përforcuar lajmet e rreme dhe qasjen kundërshtetërore”, tha Darko Kaevski, Zëdhënës i LSDM-së.

Ditë më parë ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se dy gjëra në kornizën negociuese e ndajnë Shkupin dhe Sofjen nga marrëveshja, protokolli i cili i referohet procesverbaleve nga zbatimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe koha për hapjen e Kushtetutës.

Shkupi kërkon që hapja e aktit më të lartë juridik të vendit të bëhet pas hapjes së negociatave.