Maqedoni

Qeveria e RMV-së e miratoi Memorandumin e mirëkuptimit për zhvillimin e lidhjes hekurudhore Shkup-Sofje

Qeveria e RMV-së në seancën e sotme e shqyrtoi dhe e pranoi tekstin e harmonizuar të Memorandumit të mirëkuptimit për zhvillimin e lidhjes hekurudhore ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, Shkup-Sofje, raporton 360shkallë, transmeton Portalb.mk.

Memorandumi pritet të nënshkruhet gjatë seancës së përbashkët të dy qeverive në rezidencën Bojana, e cila do të mbahet nesër në Sofje. Delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski që sot gjendet në Bullgari, ndërsa pritja zyrtare do të bëhet pasdite.

Në dokument shprehet pajtueshmëri për krijimin e një Grupi të përbashkët të punës, të përbërë nga ekspertë me kapacitete dhe ekspertizë të përshtatshme profesionale në fusha siç janë: menaxhimi me projekte, e drejta evropiane dhe ndërkombëtare, inxhinieri dhe menaxhim financiar, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i aktiviteteve përgatitore dhe zbatuese të projektit të hekurudhës.

“Memorandumi është përgatitur në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet dy vendeve, si dhe nevojës për përforcimin e aktiviteteve ekonomike dhe tregtare dhe e thekson qëllimin e përbashkët për zhvillimin e “Projektit të Lidhjes Hekurudhore Shkup-Sofje“, i cili është me interes të përbashkët dhe rajonal dhe ka rëndësi të konsiderueshme strategjike dhe ekonomike për qytetarët dhe ekonomitë e të dyja vendeve”, thonë nga Qeveria.

Sipas memorandumit, grupi punues do të takohet të paktën katër herë në vit në nivel ekspertësh për të punuar në ecurinë e zbatimit të projektit.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në periudhën e ardhshme dhe në kuadër të dinamikës së re të bashkëpunimit, të paralajmëruar nga dy kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov, duhet që përmes takimeve të Grupeve punuese të afrojnë qëndrimet në disa fusha. Dy vendet duhet të fokusohen në atë që është e realizueshme për momentin, duke e hapur kështu rrugën për gjetjen e zgjidhjeve për çështjet më të vështira dhe përfundimisht tejkalimin e mosmarrëveshjes mes tyre e cila do të hapë rrugën për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian që praktikisht nënkupton fillimin e bisedimeve RMV-BE.

Ndryshe, ky takim i përbashkët vijon pas vizitës zyrtare e javës së kaluar nga kryeministri bullgar Petkov në Shkup, kur u ra dakord të krijoheshin disa grupe pune nga të dyja palët për të punuar intensivisht për të kapërcyer keqkuptimet dhe për bashkëpunim midis dy vendeve.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.