Qeveria e Maqedonisë thotë se qytetarët nuk duhet të kenë frikë nga kufizimet e energjisë
Qeveria kumtoi se në drejtim të sigurimit të qëndrueshmërisë së sistemit elektro energjetikë, prej sot në funksion vendoset edhe blloku i dytë i TEC Manastir, që do të thotë kombinati punon siç është paralajmëruar me dy blloqe.
Nga Qeveria nënvizojnë se qytetarët nuk duhet të shqetësohen sepse sasi të energjisë elektrike për qytetarët janë siguruar në përgjithësi nga ana e SHA ESM dhe atë sipas çmimit prej 36 euro për megavat në orë. Për momentin çmimet janë katër deri në pesë herë më të larta se ky çmim, dhe kjo është tregues se Qeveria ka bërë vlerësim të mirë duke vendosur furnizuesin universal, i cili mbron amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël.
“Aktualisht plotëson nevojat e furnizuesit universal “EVN Home” për furnizim amvisëri. Përveç kësaj, ne kemi marrë tashmë shumë nga masat e rekomanduara nga Komisioni Evropian për vendet anëtare për t’u mbrojtur nga goditjet e çmimeve me energjinë elektrike”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Qeveria thekson gjithashtu se në korrik të këtij viti është miratuar masë për uljen e TVSH-së për energjinë elektrike. Qëllimi i kësaj mase ishte pikërisht mbrojtja e standardit të qytetarëve, gjegjësisht mundësimi i një çmimi më të ulët dhe zvogëlimi i shpenzimeve familjare.