Qeveria do ta ndalojë kumarin online
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, ka folur për ndryshimet e reja në Ligjin për komunikime elektronike, me të cilat parashihet ndalimi i lojërave online të fatit.
“Në Ligjin për komunikimet elektronike parashikojmë ndryshime ku do të ndalonim ligjërisht lojërat ilegale të fatit në internet, apo kazinotë online. Në Maqedoni, asnjë institucion privat nuk ka licencë për organizimin e lojërave të fatit online dhe qytetarët e dinë se janë të shumta të tilla institucione. Janë zbuluar rreth 160 ofrues që janë të pranishëm në tregun në vend dhe nuk kanë licencë për të organizuar online lojërat e fatit”, tha Andonovski.
Ministri theksoi gjithashtu se Ministria e Transformimit Digjital ka punuar për ndryshimet ligjore në koordinim me institucionet e tjera të interesuara në këtë fushë, duke u kujdesur që të mos cenohen kompetencat e njëri-tjetrit.
“Ne i njoftuam organizatorët globalë të lojërave të fatit të cilët nuk kanë marrë ose asnjëherë nuk kanë aplikuar për licencë në Maqedoni se janë në kundërshtim me ligjin dhe paralelisht kemi punuar për ndryshime në ligj, duke u kujdesur që të mos cenohet juridiksioni i Ministrisë së Financave, Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe Lotarisë Shtetërore dhe së bashku me to arritëm një zgjidhje ligjore që kaloi në qeveri dhe pas 7 ditësh hyri në procedurë parlamentare dhe pres që të kalojë në Komisionin për Transformim Digjital”, shtoi ministri Andonovski.
Ai shtoi se “kjo është një mënyrë për të parandaluar që të rinjtë të kenë qasje në lojërat e fatit të paligjshëm në internet dhe shkëmbimin e të dhënave që lehtë mund të keqpërdoren”.