Maqedoni

Qeveria do ta ndalojë importin e naftës ruse në Maqedoni

Qeveria do të ndalojë importin e naftës ruse në Maqedoni. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka deklaruar se sanksionet ndaj Rusisë të shpallura nga Bashkimi Evropian do të zbatohen edhe nga vendi ynë. Bekteshi thotë se po pret vetëm hapin e kolegut të tij nga Ministria e Jashtme, Bujar Osmani. Bekteshi siguron se nuk do të ketë mungesë të karburantit dizel në vend.

“Si Qeveri, politika është që të ndjekim të gjitha sanksionet e marra nga Komisioni Evropian, në përgjithësi Bashkimi Evropian, ata janë partnerët tanë strategjikë dhe ne me siguri do të vazhdojmë kështu”, deklaroi Kreshnik Bekteshi ministër i Ekonomisë.

Me këtë vendim nuk do të rritet çmimi i derivateve të naftës, tha për Alsat kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës, Marko Bislimovski. Në Maqedoni ka kompani që furnizon naftë dhe derivate të naftës nga një rafineri ruse, por sasia që importon është e vogël dhe nuk do të shkaktojë korrigjim në tregun e derivateve në vend, siguron Bislimovski.

“Nuk pres që në periudhën e ardhshme të ketë implikime serioze sa i përket çmimit të naftës, por duhet të presim për këtë. Ajo që dimë nga dje, kur është dita e parë e aplikimit të kësaj mase, një ditë më parë ka pasur ulje të çmimit të naftës në bursën tonë apo mesdhetare nga e cila nxjerrim të dhënat”, tha Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit Rregullator të Energjetikës.

Bashkimi Evropian, si sanksion të ri kundër Rusisë për shkak të agresionit ushtarak kundër Ukrainës, vendosi ta ndalojë naftën dhe derivatet ruse. Sipas informacioneve, 15 për qind e konsumit të karburantit dizel sigurohet nga rafineritë ruse. Zëvendësimin për këtë karburant, Evropa tashmë e ka rënë dakord me Kuvajtin, nga ku do të sigurohet sasia që deri pak ditë më parë vinte nga Federata Ruse. Përveç naftës, ndalim është edhe importi i naftës ruse e vaji ekstra i lehtë për amvisëri. /Alsat.mk