Qeset plastike përdoren 10 herë më pak, në krahasim me muajt e kaluar
Qytetarët vetëm në një muaj e gjysmë kanë paguar rreth 240 mijë euro për blerje të qeseve për bartje të produkteve ushqimore. Ministri i Mjedisit Jetësor, Naser Nuredini, tha se të dhënat tregojnë se përdorimi i qeseve plastike është ulur për 10 herë në krahasim me muajt e kaluar tek ato markete ku qeset më parë ishin pa pagesë, ndërsa tek ato biznese ku qeset më parë shiteshin me 1 apo dy denarë, shitjet janë ulur për 4 herë. Për dallim nga marketet më të mëdha, në dyqanet më të vogla zbatimi i ligjit nuk është i kënaqshëm, ndërsa nëpër tregje nuk zbatohet fare, shkruan Alsat.
“Një market të madh vitin e kaluar në nëntor para se të hynte në fuqi ndalesa për përdorim të qeseve plastike, kishte dhënë 800 mijë qese falas, ndërsa në dhjetor shiti 103 mijë. Kemi vërejtje që ka disa markete dhe tregje të gjelbra ku akoma nuk funksionon siç duhet. Ideja është që të bisedojmë me Inspektoratin e Tregjeve që të kryejnë kontrolle me të shpeshta. Tani jemi në bisedime edhe me ata që punojnë në treg, por edhe me menaxheri kryesor të tregjeve që të krijojnë një mundësi që edhe ata të punojnë dhe të japin shifrat dhe pagesat e duhura.”- deklaroi Naser Nuredini- ministër i Mjedisit Jetësor.
Nga Inspektorati i Tregjeve thonë se gjatë kësaj periudhë janë kanë kryer rreth 340 kontrolle, por nuk japin shifra konkrete se sa është numri i parregullsive të hasura dhe ku më se paku zbatohet ligji.
“Inspektorati Shtetëror i Tregut nga data 07.12.2021 deri më 23.01.2022 ka kryer gjithsej 340 kontrolle në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë Veriore, të cilat kanë të bëjnë me Rregulloren për përdorimin e qeseve të biodegradueshme, sipas Ligjit për ambalazhim dhe paketim. Në periudhën e caktuar kohore janë miratuar 4 vendime nga Departamenti i Inspektimit- Manastir sipas Ligjit për menaxhimin e paketimit dhe mbeturinave nga ambalazhi.”
Ministri i ekologjisë paralajmëron se do të pasojnë kontrolle më të shpeshta nëpër markete dhe shtoi se për bartjen e mallrave nuk lejohet përdorimi i qeseve plastike më të trasha se 15 mikron, pavarësisht nëse janë me dorezë apo pa dorezë dhe shtoi se qeset e tilla duhet të paguhen 15 denarë. Ai tha se shuma e mbledhur nga shitja e qeseve të përdoret për të ndihmuar komunat që të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për selektimin e mbeturinave.