October 18, 2024
KosovëMaqedoni

Qëndrimi i Escobar para takimit me Kurtin: Kemi dëgjuar shumë arsyetime pse s’ka ecur përpara Asociacioni, i hedhim poshtë

Duke folur në një konferencë për media në Bruksel, Emisari amerikan Gabriel Escobar ka thënë se Qeveria Kurti asnjëherë s’u ka dhënë përgjigje të plotë se a e pranojnë draft statutin e propozuar të Asociacionit nga BE.
“E pra, ata nuk na kanë dhënë kurrë një përgjigje të plotë nëse e pranojnë ashtu siç është dhe e kemi të vështirë të kuptojmë pse nuk do ta dorëzonin për shqyrtim kushtetues” ka thënë Emisari i ShBA i cili ndodhet në Kosovë dhe sot pritet të takojë Kryeministrin Kurti, pas takimeve që pati dje me opozitën dhe Presidenten e Kosovës.
“Pra, ne ende do ta inkurajonim Kosovën që të ecë përpara. Dhe dua të ritheksoj se Asociacioni nuk do të ishte një Republika Srpska tjetër. Nuk do të ishte shtet brenda shtetit. Nuk ka asgjë në statut që lejon autoritete ekzekutive, pushtete ekzekutive, apo ndonjë gjë që mund të krijojë çështje kushtetuese apo funksionale për Kosovën” ka thënë Escobar.
“Është thjesht mundësi për komunat, komunat me shumicë serbe, që të koordinojnë ofrimin e shërbimeve komunale në gjuhën serbe për qytetarët e Kosovës. Kjo është. Dhe është një obligim ligjërisht i detyrueshëm. Pra, ne kemi dëgjuar shumë arsye të ndryshme pse nuk është dorëzuar ose pse nuk ka ecur përpara, por ne i hedhim poshtë të gjitha. Duhet të ecë përpara dhe duhet të ecë përpara sa më shpejt të jetë e mundur.
Në fakt, ne besojmë se e gjithë çështja e dinarit tani do të zgjidhej përmes Asociacionit, siç rekomandohet nga Bashkimi Evropian, nga përfaqësuesi special i BE-së, përfshin dispozita për transferimin transparent të parave nga Serbia tek ata që kanë të drejtë në Kosovë përmes një mekanizmi transparent sipas ligjit të Kosovës dhe brenda kornizës kushtetuese të Kosovës. . Pra, vetë Asociacioni do ta zgjidhte çështjen e dinarit dhe kështu dëshirojmë që Kosova të ecë përpara sa më shpejt”, ka thënë ai.