Putinit po i vjen fundi? Do e rrëzojnë miqt e tij oligarkë!
Sundimi i Vladimir Putinit si president mund të marrë një fund dramatik pasi miqve të tij oligarkë t’i mbarojnë paratë ‘cash’, ka paralajmëruar një ish-gjeneral amerikan.
Ish-komandanti i ushtrisë amerikane gjeneral-lejtnant Ben Hodges i tha The Sun se si rusët e pasur që mbështesin Putinin mund të përfundojnë duke u kthyer kundër tiranit nëse ai refuzon të ndalojë luftën në Ukrainë.
Në fillim të pushtimit rus në Ukrainë në vitin 2022, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione të forta ndaj shumë prej këtyre oligarkëve.
Kjo i ndaloi atyre udhëtimet dhe asetet iu ngrinë, që do të thotë se shumë nga marrëveshjet e tyre ndërkombëtare të biznesit ranë.
Hodges thotë se këto sanksione, të cilat janë ende në fuqi sot, mund të jenë një faktor kyç në rrëzimin e Vladit pasi manjatët vazhdojnë të jenë të frustruar nga kufizimet.
“Në një moment oligarkët, rrethi i brendshëm, do të lodhen nga të gjitha kufizimet ndaj tyre, përfshirë edhe pasurinë”, u shpreh ai, duke shtuar “në një moment, ata do të thonë nuk mund t’i dërgojmë fëmijët në shkolla në Londër ose në Stanford”.
“Atëherë mendoj se diçka mund të ndodhë”, thekson ish-gjenerali.
Sanksionet ndaj oligarkëve u panë si një dredhi e zgjuar për të shtyrë disa prej tyre të shkojnë kundër Kremlinit. Shumë prej tyre u detyruan të luftojnë midis ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar dhe mbështetjes së mikut Putin ose dënimit të pushtimit dhe largimit nga Rusia.
Qindra zgjodhën të mbështesin luftën, ndërsa fshiheshin nga Perëndimi. Por pas më shumë se dy vjet e gjysmë që nga kufizimet, Putini vazhdon të kryejë sulme të përditshme në tokën ukrainase.
Hodges thotë se tani është koha për të mbajtur presionin mbi Rusinë dhe individët e saj të pasur dhe të fuqishëm. “Ne duhet ta izolojmë Rusinë diplomatikisht, ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht nga pjesa tjetër e botës. Atëherë ne duhet t’i ndëshkojmë sa herë që bëjnë gjëra. Humbja e Rusisë duhet të jetë objektivi ynë strategjik, që do të thotë se ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta arritur atë”, shprehet ai.
Një mënyrë tjetër se si Hodges mendon se Putini mund të rrëzohet nga froni është përmes reagimit të qytetarëve.
Në mars, Putin doli fitues me 87 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale – duke e mbajtur atë në pushtet të paktën deri në vitin 2030.
Por nëse besimi në udhëheqësin e tyre afatgjatë fillon të zbehet, atëherë ndryshimi mund të lindë shpejt.
“Ju nuk i shihni realisht protestat në rrugë në Rusi siç keni parë edhe në Minsk në Bjellorusi apo edhe në kryeqytetin e Iranit Teheran.
Ju nuk e shihni këtë në Rusi. Dhe unë mendoj se në një moment kjo do të ndryshojë”, shprehet ai.
Miqtë e afërt oligarkë të Putin
Roman Abramovich, pasuria neto: 7.5 miliardë £.
Ish-pronari i klubit të futbollit Chelsea është një nga oligarkët më të njohur rusë për shkak të kohës së tij në Angli. Politikani 57-vjeçar dhe manjati i biznesit u detyrua të shiste Chelsean në vitin 2022 pasi u godit me sanksione, por ai nuk mori asnjë nga të ardhurat nga shitja.
Ai zotëron aksione në gjigantin rus të çelikut Evraz dhe prodhuesin e nikelit Norilsk Nickel.
Vladimir Potanin,pasuria neto: 19 miliardë £.
Me një vlerë prej rreth 19 miliardë paund, Potanin dikur konsiderohej si njeriu i dytë më i pasur në Rusi dhe i 10-ti më i pasur në botë. Ai ishte në listën e Thesarit të SHBA-së me individë të lidhur ngushtë me Putinin. Pasi fitoi paratë e tij në kredi për aksione në Rusi, ai tani zotëron Interros, që është një konglomerat rus me aksione në sektorët e minierave, energjisë, financave, shitjes me pakicë dhe të tjerë.
Genadi Timchenko, pasuria neto: 17.3 miliardë £
Me vlerë rreth 17.3 miliardë paund, Timchenko, 71 vjeç, ka qenë një aleat i ngushtë me Putinin që nga vitet ’90. Atij i janë ngrirë asetet dhe i është ndaluar të udhëtojë në Britani për shkak të lidhjes së tij me pushtimin e Ukrainës. Timchenko ka lidhje me naftën ruse pasi ai bashkëthemeloi Gunvor, tregtari i katërt më i madh i naftës së papërpunuar. Që atëherë, kompania ka ndërprerë lidhjet me oligarkun. Ai është aksioner në Rossiya – një nga bankat ruse që Boris Johnson sanksionoi kur ishte kryeministër.
Vladimir Lisin, pasuria neto: 20 miliardë paund.
I listuar në listën e Thesarit të SHBA-së, Lisin, 68 vjeç, zotëron Novolipetsk Steel, një nga kompanitë më të mëdha të çelikut në Rusi. Në vitin 2020, ai dhuroi 123 milionë rubla për të ndihmuar në shpëtimin e fëmijëve me atrofi muskulare kurrizore. Në vitin 2010 ai u rendit si njeriu më i pasur në Rusi.
Boris Rotenberg, pasuria neto: 886 milionë paund.
Ai është një nga oligarkët që do të goditet me sanksione nga Britania e Madhe. 68-vjeçari ka një pasuri me vlerë prej 886 milionë paund dhe ka qenë shok fëmijërie dhe sportist bashkë me Putinin në xhudo. Ai është bashkëpronar i SMP Bank dhe është sanksionuar për përdorimin e rolit të tij në bankë për të mbështetur qeverinë ruse.
Vladimir Litvinenko, pasuria neto: 2.3 miliardë £.
Një nga emrat më të njohur të epokës së Putinit është Vladimir Litvinenko, 69 vjeç. Ai ishte menaxher i fushatës së Putinit, zotëron aksione në kompaninë kimike ruse PhosAgro dhe është rektor i Universitetit të Minierave në Shën Petersburg që nga vitet ’90. Sipas Forbes, ai ka një pasuri rreth 2.3 miliardë paund.
Leonid Mikhelson, pasuria neto: 21 miliardë paund.
69-vjeçari Mikhelson është CEO i Novatek, i cili është prodhuesi i dytë më i madh i gazit natyror në Rusi. Ai ka një pasuri me vlerë rreth 21 miliardë paund dhe është i lidhur ngushtë me Timchenkon si dhe me Putinin. Mikhelson gjithashtu ka aksione prej 30.6 për qind në Zao Sibur, e cila është kompania më e madhe petrokimike ruse.