Putin kërcënoi për luftë bërthamore/ Emmanuel Macroni i përgjigjet: Jemi gati!
Presidenti francez Emmanuel Macron, duke iu përgjigjur kërcënimeve të reja të liderit rus Vladimir Putin për gatishmërinë e Rusisë për luftë bërthamore, ka thënë se Franca është “fuqi bërthamore” dhe se është e papërshtatshme të bëhen kërcënime të tilla kur “keni armë bërthamore”.
“Para së gjithash, ne duhet të ndihemi të mbrojtur, sepse jemi fuqi bërthamore. Ne jemi gati; kemi një doktrinë për përdorimin e armëve bërthamore”, ka thënë Macron.
Ai është shprehur se kur bëhet fjalë për armët bërthamore, “nuk ka nevojë të mburremi, sepse kjo imponon një përgjegjësi që të mos përshkallëzohet kurrë”.
Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Perëndimin se Rusia është teknikisht gati për luftë bërthamore dhe se nëse SHBA-ja dërgon trupa në Ukrainë, kjo do të shihet si përshkallëzim i rëndësishëm i luftës.
New York Times raportoi më 10 mars se Shtetet e Bashkuara po përgatitnin një përgjigje “jo bërthamore” në fund të vitit 2022 nëse Rusia përdorte armë bërthamore kundër Ukrainës.
Më 29 shkurt, Putin iu drejtua Asamblesë Federale Ruse, duke folur, ndër të tjera, për “gatishmërinë e plotë” të forcave bërthamore dhe paralajmëroi për pasojat nëse NATO-ja vendos trupa në Ukrainë.