June 26, 2024
Opinion

Pse mungojnë barinjët në Maqedoni, athua i mori politika?

Kemi zgjedhur titullin e mësipërm paksa satirik për këtë editorial, jo për të nënçmuar barinjët, e as politikanët, por për të sensibilizuar opinionin se tani një kohë të gjatë njerëz joadekuatë zgjedhen e emërohen në poste e pozita udhëheqëse. Është brengosëse se kjo dukuri sa vjen e shtohet, e madje edhe stimulohet nga politika. Nuk e kemi fjalën vetëm për partitë shqiptare, sepse njësoj është edhe tek maqedonasit, turqit, romët, serbët, vllehët, boshnjakët… Është bë praktikë që njeriut t’i gjendet posti, e jo postit njeri adekuat e kompetent. Nuk i jepet rëndësi përgatitjes së kuadrove, e as meritorkracisë dhe aftësive të treguara në punë, por më tepër i jepet përparësi përkatësisë politiko-partiake. Nuk është me rëndësi sa është i aftë një kuadër, por është me rëndësi se nga cila parti vjen, nga cila degë, e nga cila nëndegë. Nuk është në rregull që edhe sot e kësaj diite ta kemi këtë problem, sepse pasojat janë vërtetë të dëmshme. Ky është shkaku kryesor që ditë për ditë po na ikë rinia. Po na ikin të rinjët më të përgatitur, më të edukuar, më të ndershëm, sepse po shohin shumë pak hapësirë që ta gjejnë veten në një shoqëri ku kriteri politiko-partiaka është kriter mbi të gjitha kriteret tjera.

Nuk mjaftojnë vetëm reklamat dhe deklaratat boshe për të ndalur ikjen e rinisë. Nevojitet punë konkrete, shembuj që mund t’i shohim të gjithë se me të vërtetë vlerësohet përgatitja intelektuale, e jo vetëm poltronizmi. Kush nuk është i përgatitur sa duhet, nuk duhet të emërohet në pozita udhëheqëse, por duhet ta kërkojë vendin aty ku e ka. Ja për shembulli i fundit ishte se për barinj në Maqedoninë e Veriut ofrohet rroga 1000 euro, sigurimi i ushqimit dhe banimit si dhe kushtet tjera ekstra. Çka ka të keqe në atë që dikush ta punon këtë punë, e jo të kërkon funksion partiak, apo në institucione, pa plotësuar kushtet elementare.

Sepse vërtet edhe kjo na ka sjellë në situatë që pavarësisht këtyre kushteve të volitshme që ofrojnë, pronarë të bagëtive dhe kopeve të dhenëve të kenë mungesë të barinjve. Në dekadat e fundit ky problem ka qenë mjaft aktual dhe me gjithë apelet e blegtorëve, autoritetet nuk kanë ndërmend ta zgjidhin. Askush nuk dëshiron të kullosë dhentë, sepse është një punë e përgjegjshme dhe jo tërheqëse. Numri i barinjve ulet çdo vit, sepse të rinjtë shpërngulen dhe nuk duan të kujdesen për delet.

“Pavarësisht se rrogat janë të mira dhe janë mbi 1000 euro, po të merret parasysh se barinjtë kanë banimin e paguar, ushqimin falas, cigare falas, madje edhe internet falas, prapë nuk ka punëtorë të tillë. Kemi bërë apel në Ministrinë e Bujqësisë që ata persona që kërkojnë ndihmë sociale të vijnë të punojnë si barinj, pra të marrin asistencë sociale për gjashtë muaj dhe të vijnë për trajnim. Pasi të trajnohen do t’i punësojmë. Por ky propozim i yni mbeti vetëm në letër. Shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet me qeverinë e re”, ka thënë për gazetën VEÇER, kryetar i “Agrocentar” Mitko Jankov.

Sipas tij, puna nuk është shumë e vështirë, por problemi është se barinjtë duhet të jenë gjatë gjithë kohës me delet. Ata punojnë 14 orë në ditë, nuk kanë pushim vjetor. Nga ana tjetër, ata duhet të përballen me sfida të ndryshme, si kushtet e pafavorshme të motit, sulmet nga kafshët e egra, sëmundjet, etj. “Puna nuk është aq e vështirë sa është e mërzitshme. Barinjtë duhet të jenë gjithmonë vetëm me delet që çojnë në kullotë çdo ditë. Në vendin tonë bariu është pak i nënvlerësuar, por është një punë dinjitoze. Punojmë me krenari dhe nuk na vjen turp të na quajnë barinj. Kjo punë nuk kërkon arsim, madje mund të jenë edhe analfabetë”, thotë Jankov.