Protesta e opozitës në Tiranë, arrestohen katër persona
Katër persona janë arrestuar në Tiranë, pasi ushtruan veprime të dhunshme gjatë protestës së mbrëmshme, duke hedhur lëndë piroteknike, kapsolla, flakadanë, molotov në drejtim të punonjësve të Policisë dhe Kryeministrisë. Sipas policisë, gjithashtu janë vënë nën hetim edhe gjashtë persona të tjerë. Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 110 kapsolla, që iu gjetën këtyre të arrestuarve gjatë kontrolleve fizike. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë thonë se vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protestës së ditës së djeshme, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë pra Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Qindra qytetarë shqiptarë protestuan para Kryeministrisë në Tiranë, në protestën e thirrur nga grupimi opozitar “Rithemelimi”, që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha. Rreth 1.000 forca të policisë mbikëqyrën protestën.