Lajmet e reja

Prokuroria njofton shpartallimin e grupit “Bellanoca-Baron”, arrestohen 4 persona

Është shkatërruar grupi kriminal “Bellanoca-Baron”, ky është njoftimi i Prokurorisë në lidhje me aksionin policor, në të cilin janë arrestuar katër persona, ndërkaq njëri vetë është lajmëruar në polici, pas bastisjeve në 30 lokacione në Çairi, Haraçinë, Shuto Orizarë, Butel dhe Studeniçanit. Gjatë bastisjeve janë gjetur shumë e madhe e parave, ar, armatim dhe mjete të tjera, ndërkaq Policia e asistuar nga Armata, vazhdojnë të veprojnë në disa lokacione për të gjetur prova materiale. Prokuroria sot ka dhënë urdhër për hetim ndaj 18 personave, 14 prej të cilëve dyshohet se janë porositës ose kryerës direkt të vrasjeve, ndërkaq gjithsej 12 dyshohen për shoqërim kriminal. Pesë dyshohen edhe për vepër penale “Vepra të rënda kundër sigurisë”, ndërkaq katër për veprën penale zhvatje.

“Organizatorët kanë e grupit kriminal kanë përgatitur plane dhe kanë sjellë vendime, kush, si dhe ku dhe në çfarë mënyre do të likuidohet. Pastaj vendimet i kanë zbatuar personalisht ose nëpërmjet anëtarëve të grupit duke paguar nga 10.000 deri në 250.000 euro për vrasje”, njoftojnë nga Prokuroria.

Grupi, sipas Prokurorisë, në mënyrë të dhunshme dhe me kërcënime serioze, si dhe duke djegur disa objekte në territorin e Shkupit kanë zhvatur mjete financiare në nivel mujor, por edhe kanë kërkuar që të paguhen para në vlerë të njëhershme. Madje, njëri prej udhëheqësve të grupit, tre herë ka porositur t’i digjet makina një zyrtari policor, i cili nuk e ka lejuar që të punojë me fajde dhe shesë drogë në burg.

Tanimë disa vite me radhë bandat e nëntokës së Shkupit, kanë qëruar hesapet nëpërmjet akteve të dhunshme dhe vrasjeve mafioze, kryesisht për mbajtjen apo marrjen e kontrollit të biznesit të tyre kryesor – drogën.

Lista e viktimave është e gjatë, ndërkaq vazhdon të mbushet për shkak hakmarrjeve dhe hasmërive, si në aspektin grupor ashtu edhe familjar. Lufta e përgjakshme është transferuar në rrjetin social shumë të përdorur nga të rinjtë TikTok, ku madje publikohen përmbajtje me kërcënime dhe paralajmërime për vrasje.