Profesori nga Tetova vlerëson se vizita e kryeministrit Kurti acaroi raportet e mira Kosovë – Maqedoni e Veriut (Video)
Profesori Bashkim Selmani, vlerëson se raportet e mira që Kosova kishte me Maqedoninë e Veriut janë acaruar.
I ftuar në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Selmani ka theksuar se vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut mund të analizohet në dy aspekte.
“Raportet e mira që kanë qenë në mes të dy vendeve thjesht janë të acaruara nëse merret për bazë raportet zyrtare dhe ka pasur shumë reagime negative që nuk i janë dashur imazhit të Kosovës kur ajo ka nevojë për më shumë njohje dhe jo për bartjen e sindromit nga Shqipëria në ftohjen apo prishjen e raporteve në Maqedoninë e Veriut për arsye se vetë presidenti i Maqedonisë së Veriut doli dhe kërkon përgjegjësi nga organet e ndjekjes që dy kryetarët e komunave të ngrihet procedurë penale për arsye se janë përdorur simbole antikombëtare dhe kjo nuk i shërben raporteve multietnike”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo vizitë ishte e mangët për shkak të mungesës së ceremonisë shtetërore.
“Kjo vizitë mund të analizohet në dy aspekte: Cili është qëllimi i vizitës dhe mesazhi që në vete lë prioritetet dhe hap dilemat e takimit. Kjo vizitë në aspektin juridik, diplomatik po ashtu edhe raportet në mes të dy vendeve, kanë qenë raporte të nivelit të lartë bashkëpunues dhe analiza tjetër që është e para që mund të vlerësohet është se ishte takim i mangët për arsye se duhej të bëhej në nivel shtetëror dhe normal ceremonitë shtetërore do të ishin më të favorshme dhe e dyta mesazhi apo ndërhyrja e shqiptarëve në Maqedoni kur aktualisht kemi një opozitë të përçarë në të cilën nuk kanë asnjë strategji dhe plan se si t’i mbrojnë interesat e përgjithshme dhe nga ana tjetër më jep të bëj një analizë historike që nga vitet e 90-ta më kujtohet shumë mirë kur ish- kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha erdhi në Maqedoni … aktualisht Kurti takoi opozitën shqiptare por nuk takoi ata që kanë legjitimitetin e shqiptarëve dhe kjo përbën një shkelje të sovranitetit të gjithë qytetarëve”.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar të premten që punimet për ndërtimin e një rruge që e lidh Prizrenin me Tetovën, të nisin sa më shpejt.
Duke folur gjatë një vizite për përurimin e riemërimit të një rruge më 11 gusht në Maqedoninë e Veriut, Kurti tha se rruga Prizren-Tetovë do ta ndihmonte dukshëm zhvillimin e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Aksi që e lidh Prizrenin me Tetovën është marrëveshje mes dy qeverive tona, nga mbledhja e përbashkët, e nënshkruar nga dy kryeministrat, pra nga unë dhe nga homologu maqedonas [Dimitar] Kovaçevski. Andaj, dëshirojmë që ky studim fizibiliteti të pasohet sa më shpejtë me punimet dhe realizimin e këtij projekti madhor”, tha Kurti.
Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës dhe ajo e maqedonase nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e rrugës që do ta lidhte Prizrenin në jug të Kosovës me Tetovën në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut.
Kurti theksoi se pret që edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut “të angazhohet për këtë projekt”, për të cilin tha se ka një studim fizibiliteti.