Maqedoni

Procesi i ndryshimeve kushtetuese ka mbetur status quo

VMRO-DPMNE edhe më tej nuk bindet për të votuar ndryshimet kushtetues. Kryetari Hristijan Mickoski për të disatën herë thotë që ndryshime kushtetuese nën diktate bullgare nuk do të ketë. Madje shprehet se edhe pas qindra takimeve dhe bisedave me diplomatë botëror, nuk kanë marrë argument që ti bindin ato të votojnë ndryshimet e Kushtetutës.

Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së

“Ne, argumentet tona i kemi thënë shumë herë, këto 16 muaj kanë ardhur dhe shumë herë kemi biseduar edhe përmes telefonit, qindra diplomatë të mëdhenjë botëror. Ne nuk kemi dëgjuar nga pala tjetër argument që do të na jepte neve një situatë komode dhe komfore dhe të themi tani na bindët”.

Mickoski u shpreh se shumë herë bashkëbiseduesit nga jashtë kanë marrë informacione të rrejshme nga Qeveria, dhe nga Bujar Osmani.

Në anën tjetër kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në brifingun për gazetarë tha se nuk ka asnjë zhvillim të ri për ndryshimet kushtetuese.

Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit

“Nuk ka asnjë ndryshim në lidhje me situatën e votimit të ndryshimeve kushtetuese. Po presim të sigurohen 61 vota deputetësh. Poashtu vizita e Fon Der Lejen nuk ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese që duhet të bëhen në Kuvend”.

Përndryshe, shefja e Komisionit Evropian të dielën vjen për vizitë të shkurtër fundjave në Shkup. Kryeministri Kovaçevski ka deklaruar se integrimi evropian do të jetë temë kyçe e bisedimeve. Sipas tij, Fon der Lajen vjen për të mbështetur Maqedoninë e Veriut e jo për të bërë presione ndaj opozitës për miratimin e ndryshimeve kushteteuse.