“Presioni politik!” – Pse dha dorëheqje Vesna Dameva?
Në pritje të rezultateve të planit të kryeministrit Hristijan Mickoski kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që e kanë “kapur” sistemin gjyqësor, rastësisht ose jo, jep dorëheqje Vesna Dameva, kryetarja e Këshillit Gjyqësor, shkruan Alsat.
Bëhet fjalë për organin kryesor që veç tjerash, zgjedh dhe shkarkon gjyqtarët.
Në fakt, Këshilli Gjyqësor është në fokus të reformave të paralajmëruara të Qeverisë së Mickoskit, e cila dështoi ta realizojë planin për shpërndarjen e tërësishme të saj. Ekspertët dhe faktori ndërkombëtar ngrenë alarmin se ky hap do të përbënte ndërhyrje direkte në pushtetin gjyqësor.
Dameva për dallim prej herëve të kaluara kur deklaronte se politika kryen ndërhyrje në Këshillin Gjyqësor, sot i përmendi me emër dhe mbiemër kryeministrin Hristijan Mickoski dhe deputetin e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, duke cituar pjesë nga intervista e tij e fundit për Alsat.
Sipas Damevës, qëllimi i reformave në gjyqësor nga pushteti është që anëtarët aktual t’i zëvendësojnë me njerëz të afërt të tyre.
Megjithatë, Dameva, gjatë kohës kur tema për shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor ishte temë kryesore në vend, ajo u takua me kryeministrin Mickoski.
Atëherë, me tone të buta ajo kërkonte bashkëpunim me pushtetin ekzekutiv.
“Pushteti gjyqësor dhe ekzekutiv, vlerësoj se nuk duhet të shihen si pengesa, por për kundrazi duhet të shihen si bashkëpunëtorë pasi, ai bashkëpunim institucional i përbashkët është shumë i rëndësishëm për hapat e ardhshme, për rezultatet e ardhshme, me qëllim të rikthimit të besimit te qytetarët”, kishte thënë Vesna Dameva, ish-kryetare e Këshillit Gjyqësor.
Kritikat e Mickoskit dhe Milloshoskit, ishin për mundësinë e vazhdimit të mandatit të Damevës për 8 muaj, për aq kohë sa ka qenë jashtë detyrës për shkak të shkarkimit nga pozita e kryetares.
Në fakt, akti i shkarkimit, ishte dhe një ndër momentet për të cilën më së shumti do të mbahet mend Dameva. Gjegjësisht, në një situatë të orkestruar nga nënkryetari i atëhershëm i Këshillit Selim Ademi, u shkarkua Dameva, për të parandaluar shkarkimin e Enver Bexhetit, i cili kishte mbajtur në sirtar lëndën kundër Sasho Mijallkovit për përgjimin masiv “Fortesa-Target”. Pas shkarkimit, ajo la të nënkuptohet se shkarkimi i saj është kërkuar nga politika.
“Unë realisht se di se si kjo do të përfundojë, përveç se disa persona të politikës do të jenë realisht shumë të kënaqur nga kjo që arrihet”, ishte shprehur asokohe Dameva.
Shkarkimin e quajtën të paligjshëm, ekspertët dhe faktori ndërkombëtar. Ajo e fitoi lëndën para Gjykatës Administrative dhe u rikthye në detyrë në janar të këtij viti.
Dameva, gjithashtu është kritikuar për lidhjet e saj me LSDM-në, pasi u shpërnda një fotografi ku i pranishëm ishte edhe ish kryeministri dhe lideri Zoran Zaev, megjithatë nga LSDM kanë mohuar lidhjen me Damevën pasi sipas tyre, ajo ka marrë pjesë në ngjarje vetëm si eksperte, jo si anëtare e partisë./