BallinaMaqedoni

Presidentja Siljanovska pranoi dorëheqjet e anëtarëve të Komisionit për falje

Presidentja Siljanovska Davkova ka pranuar dorëheqjen e anëtarëve të Komisionit për Falje, njoftuan sonte nga kabineti i Siljanovskës, transmeton TV21.

“Anëtarët e Komisionit për Falje sot e njoftuan kryetaren Gordana Siljanovska Davkova se po paraqesin dorëheqje kolektive nga pozitat në komision. Vendimi për dorëheqje kolektive nga Komisioni i Faljes është marrë nga anëtarët në përputhje me parimet e tyre personale dhe profesionale. Kryetarja Siljanovska Davkova pranoi dorëheqjen e prof. Dr Metodija Kanevçev, prof. Dr. Gordan Kallajxhiev, prof. Dr. Arlinda Kadri Shahinoviq, Dr. Zora Mitiq, MSc Ana Gjorgjievska Ivanovska dhe Ajten Shaqiri”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, shtohet se në periudhën e ardhshme kryetarja Gordana Siljanovska Davkova do të zhvillojë konsultime për përbërjen e re të Komisionit, si dhe për mangësitë institucionale dhe ligjore që ekzistojnë në sistemin për faljen e personave të dënuar, thuhet në komunikatën e zyrës së presidentit.

Dorëheqja kolektive u njoftua nga Kallajxhiev, i cili tha se këtë vendim e kanë marrë “në përputhje me parimet e tyre personale dhe profesionale”.

Kujtojmë se ky komision ishte cak i kritikave të ashpra, si shkak i vendimit të fundit, ku u falën persona me vepra të rënda kriminale.