Presidenti i Kroacisë kërkon pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, “kallet” Serbia: “Po funksionon vëllezëria shqiptaro-kroate”
Presidenti kroat, Zoran Milanoviç ka kërkuar nga foltorja e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork që të gjitha shtetet ta njohin pavarësinë e Kosovës.
“Jemi shumë të shqetësuar për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe dëshirojmë të inkurajojmë masat për de-eskalimin e tensioneve. Në mënyrë të ngjashme, këto dy vende duhet të fokusohen në normalizimin e marrëdhënieve dhe të përmbushin detyrimet e tyre dhe të fillojnë të zbatojnë atë që u dakordua këtë vit në Bruksel dhe Ohër. Ne vazhdojmë të mbrojmë njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtën e saj për të ekzistuar si pjesëtare e barabartë e bashkësisë së popujve”, tha ndër të tjera Milanoviq.
Ky qëndrim i shprehur nga presidenti kroat ka “kallur” Serbinë. Gazeta serbe Novosti shkruan se me këtë u konfirmua vëllezëria mes shqiptarëve dhe kroatëve, transmeton Lideri.mk.
“Aleanca ANTI-SERBE e kroatëve dhe shqiptarëve, e filluar në kohën e RSFJ-së dhe e çimentuar nga ‘vëllazëria në armë’ nga koha e zezë e Rahim Ademit dhe Agim Çekut, është konfirmuar edhe sot në Kombet e Bashkuara. Pikërisht në ditën kur regjimi i Albin Kurtit kërcënoi publikisht Presidentin e Serbisë dhe vazhdoi gjuetinë ndaj popullit tonë duke arrestuar tre serbë në veri të Kosovës, kreu i shtetit kroat Zoran Milanoviç kërkoi në Nju Jork që të pranohet shteti i rremë në OKB”, shkruan ky medium i afert me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.