Premtime të reja për rrugën Strugë-Qafëthanë
Ndërsa banorët e Strugës vijojnë t’i shkatërrojnë veturat e tyre nga gropat e shumta në rrugën nga Struga deri në pikën kufitare Qafthanë, Agjencia për Rrugë Shtetërore premton se riparimi i rrugës do të përfundojë në qershor të vitit 2023, shkruan Alsat.
Në një deklaratë për Alsat thonë se për këtë dhe për pesë rrugë të tjera është shpallur tender për realizimin e punimeve ndërtimore, të ndara në pesë pjesë. Për riparimin e rrugës Podmolje-Strugë-Qafthanë me gjatësi prej 19,3 km tashmë janë siguruar 8 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Vlerësimi i ofertave të pranuara është në proces, në fund të janarit pritet të dërgohet për shqyrtim dhe miratim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim raporti i vlerësimit.
Varësisht miratimit nga Banka, kontratat e ndërtimit pritet të nënshkruhen me ofertuesit më të favorshëm në mars të vitit 2022. Afati për punimet është 15 muaj, respektivisht deri në qershor 2023″, njoftojnë nga Agjencia e Rrugëve Shtetërore.
Banorët shprehen të zhgënjyer pasi prej vitesh janë riparuar vetëm gropat dhe punime konkrete nuk kanë nisur, megjithëse ishin paralajmëruar për vitin 2020.
“Nuk e di se çfarë duhet të ndodhë për të reaguar. Këto janë kratere jo vrima. Unë personalisht kam pasur përvojë, tre javë më parë, një makinë e re, u prish goma dhe më duhej të blija goma të reja. Shkova në polici, bënë procesverbal kurse sigurimi është “lojë pa kufij” në vendin tonë”.
“Është autostradë. Ajo lidh dy vende. Duhet të bëhet”.
Muajin e kaluar, banorët e vendbanimeve pranë bllokuan rrugën që çon në pikën kufitare. Ata kërkuan që të zgjidhet ky problem, që siç thanë ata, të mos vonohet dhe të mos ketë ndodhur ndonjë aksident.
Për shkak të infrastrukturës së keqe rrugore, shumë vozitës kërkojnë rrugë alternative./Alsat.mk