Prapaskenat e takimit Kurti-Ahmeti: “Pse BDI punon vetëm për bashkëpunimin Maqedoni-Serbi, e jo edhe me fqinjët tjerë?!”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe një delegacion ministrash të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Burime qeveritare nga Prishtina, që pretendojnë se janë të mirëinformuara për takimin e mbrëmshëm, kanë thënë se pjesa idilike dhe fotografitë protokollare kanë qenë pjesa më e parëndësishme e takimit.
Shumë më e rëndësishme, por pak edhe e tensionuar sipas këtyre burimeve, ka qenë pjesa e takimit prapa dyerve të mbyllura, ku qeveritarët kosovarë “gjatë tërë kohës me ton qortues u ka folur ministrave të BDI-së dhe kryetarit të saj Ali Ahmeti”.
“Ministrat e qeverisë kosovare drejtpërdrejt u thanë Ahmetit dhe ministrave të tij se është turp që autostrada Shkup-Bllacë të premtohet 20 vite e të mos ndërtohet asnjë kilometër i saj. Poashtu u përmend se prej kur është BDI në skenën politike vetëm se janë forcuar edhe më shumë raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, kurse asgjë nuk po bëhet për avancim të raporteve me vendet tjera fqinje dhe kjo mes tjerash ka sjellë edhe deri te veto bullgare.
Ata u interesuan edhe për rrethanat e vdekjes së Rexhail Qerimit në burgun e Idrizovës, duke kerkuar të hetohet se mos bëhet fjalë për vrasje të qëllimshme, dhe nëse po, atëherë të pengohet që diçka e ngjashme eventualisht të mos ndodhë edhe me pjesëtarët e Grupit të Kumanovës, shumica e të cilëve janë kosovarë. Ky ka qenë shkaku pse takimi është organizuar urgjentisht dhe larg syve të opinionit”, njoftojnë këto burime.
Sipas tyre është shprehur brengosje edhe për projektin e biznesmenit serbo-malazez në Tetovë Miodrag Daka Davidoviq, i njohur si biznesmen i afërt me kishën serbe dhe me kriminelët e luftës Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq.
“Ministrat kosovar kanë shprehur verejtje edhe për mungesën e projekteve kapitale në komunat me shumicë shqiptare. Ata kanë kërkuar të mos pengohet realizimi i Korridorit 8, sepse kanë filluar të paraqiten indikacione për vonimin e ndërtimit të këtij korridori siç u vonua ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë. Një nga pyetjet e tyre ishte se a do të rezultojë gënjeshtër edhe ‘Agjenda e Blertë’, siç rezultoi edhe premtimi për kryeministrin shqiptar, Naser Zyberi, sepse agjenda e Blertë ka filluar të implementohet në komunat maqedonase, e në komunat shqiptare ende nuk është investuar asnjë cent. Për përmirësim të këtij diskriminimi por edhe për zbardhjen e proceseve të dyshimta gjyqësore, u kërkua nga Ali Ahmeti dhe ministrat e tij të përkrahin marrëveshjen Gashi-Zaev, si bazë e mirë për zgjidhje. Pala e BDI-së premtoi se do të përkrahë këtë marrëveshje, në germë dhe në vepër, por disa ministra kosovar shprehën mosbesim ndaj sinqeritetit të tyre. Prandaj u dakordua takim i ri që do të mbahet në Maqedoninë e Veriut ku do të analizohet se sa BDI ka realizuar premtimet e bëra, sepse premtime të njëjta nga kjo parti janë dhënë edhe në takimet me Hashim Thaçin e Isa Mustafën kur ishin kryeministra, por gati asgjë nuk është realizuar”, njoftojnë burime qeveritare në Prishtinë, duke shtuar se së shpejti “Ali Ahneti dhe ministrat e tij do të meren në raport edhe nga kryeministri shqiptar Edi Rama, ku poashtu do të shprehen pakënaqësi nga dështimet në komunat shqiptare në Maqedoninë e Veriut”.
Kurse sipas njoftimit nga kabineti i kryeminsitrit Kurti, delegacioni përbëhej nga Artan Grubi, zëvndëskryeministër i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Sistem Politik, Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi, ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë, Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës, Naser Nuredini, ministër i Mjedisit Jetësor dhe i Planifikimit Hapësinor dhe Ejup Rrustemi, drejtor i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, transmeton Lideri.mk.
Në takim u diskutua për menaxhimin e situatës me pandeminë, gjendjen nëpër institucionet shëndetësore dhe mundësinë e lehtësimit të masave.
Marrëveshjet e arritura në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive të mbajtur në shtator të vitit të kaluar, ishin temë tjetër e takimit, e në veçanti marrveshja për rrugën Tetovë- Prizren.
U bisedua për integrimet evropiane dhe raportet e mira fqinjësore mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë Veriut.
Për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, u theksua se duhet të përfundojë me njohje të ndërsjelltë mes dy shteteve, gjë që do t’i kontribuonte ruajtjes së paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.