Dossier

Politika: Si u pushkatua ushtari shqiptar Myftar Hasani në Novi Sad, testikujt e tij iu dhanë dy pleqve serbë

Në një raport të gazetës beogradase “Politika” të së martës së 21 prillit 1925, të titulluar “Pashkët e përgjakura në Petrovaradin”, është dhënë lajmi për vrasjen e dy oficerëve serbë dhe një ish-koloneli rus nga ana e ushtarit shqiptar, Myftar Hasani. Ushtari shqiptar u pushkatua katër vjet më pas, por siç vërehet nga raportet e gazetave kryesore serbe të kohës, Myftar Hasani kurrë nuk e pranoi vrasjen e oficerëve! Por, nuk është i trishtueshëm ekzekutimi i tij, sa eksperimentimi që është bërë në trupin e tij kur vetëm pak çaste pas pushkatimit, dy mjekë ia prenë testikujt Myftarit dhe siç “thuhet” ato iu shortuan (transplantuan) dy pleqve serbë që ata të “ndiheshin më të rinj”. Në vijim do ta sjellim raportet rrëqethëse rreth kësaj ngjarjeje mizore që janë publikuar atëbotë në gazetat “Politika’, “Pravda” dhe “Vreme”

Myftar Hasani dhe “arratisja” e tij në Hungari

“Një ushtar shqiptar ka i vrarë dy oficerët tanë dhe më pas është arratisur”, është titulli i raportit të gazetës “Politika” një ditë pas Pashkëve ortodokse të vitit 1925. Në vijim, shkurtimisht janë paraqitur detajet lidhur me këtë vrasje.

“Në ditën e parë të Pashkëve në mbrëmje midis orës 21:00 dhe 22:00, si viktima të mizorisë së një ushtari shqiptar, u vranë togerët administrativë të ushtrisë sonë Millan Paniq, tridhjetëvjeçar, babai i dy fëmijëve dhe Dushan Kokotoviq që shërbente në artileri. Viktimë ra edhe një ish-kolonel rus, tani nëpunës në një ndërmarrje private. Ngjarja u zhvillua si në vijim: ‘Vrasësi quhet Myftar Hasani, është i lindur në Serbinë e Jugut, i cili tre vjet më parë ishte arratisur në Hungari dhe me të kthyer i dënuar si dezertor, ai menjëherë u dërgua në shërbim të detyruar ushtarak. Komandanti i regjimentit në Petrovaradin, kishte dhënë urdhër që Myftari të përcillej në çdo hap dhe atij të mos i besohej asnjë detyrë e posaçme. Mirëpo, akoma nuk është verifikuar se me fajin e kujt, ai ishte caktuar që në ditën e parë të Pashkëve të vendoset si rojë në të ashtuquajturën ‘Portën e Beogadit’ në Petrovaradin, në afërsi të tunelit të hekurudhës midis Novi Sadit dhe Petrovaradinit. Togeri Millan Paniq që ka shërbyer në qytetin e Kikindës dhe i cili kishte ardhur t’i kalonte pushimet e Pashkëve në Novi Sad dhe Dushan Kokotoviq që shërbente si toger administrues në Petrovaradin, bashkë me familjet e tyre ishin duke shkuar në një mbrëmje festive. Ku ata u larguan prej Myftarit që ishte në rojë, në distancë afërsisht 30 deri 40 hapa, ai fillimisht e shkrepi një plumb në drejtim të Paniqit më pastaj tjetrin e shkrepi drejt Kokotoviqit. Paniqi mbeti i vrarë në vend ndërsa Kokotoviq vdiq në spital në mëngjesin e sotëm. Në të njëjtën kohë andejpari kaloi koloneli rus, Uspenski, mbi të cilin Myftari gjithashtu e shkrepi një plumb, duke e lënë të vrarë në vend kolonelin rus. Ky ushtar shqiptarë viktimat i qëlloi prej anash. Pas vrasjes, Myftari i zbathi këpucët ushtarake, e hodhi përtokë shajkaçën, në vendin e ngjarjes i la 10 fishekë të pushkës, prej 25 sa i kishte. Më pas ai e ka lëshuar vendin e rojës dhe është larguar drejt kështjellës së qytetit. Komandanti i rojës, vendi i të cilit ndodhej vetëm 20 – 30 hapa larg vendit të ngjarjes, menjëherë ka urdhëruar që të nis kërkimi, por deri në mbrëmje Myftari nuk u gjet askund. I tërë qyteti i Petrovaradanit dhe të gjitha muret e kalasë janë rrethuar, por ai ia ka dalë që herët në mëngjes të largohej drejt rrugës që çon në drejtim të fshatit Bukovc, për në Srem. Siç raportojnë informacionet zyrtare, rrugës ai ka hasur në një fshatar të cilit ia ka drejtuar armën dhe ka kërkuar prej tij që t’i heqë rrobat. Menjëherë pas kësaj Myftari i ka lënë aty rrobat e ushtrisë duke i zëvendësuar ato me të fshatarit. Ai më pas është larguar drejt Frushka Gorës”. Këtu përfundon raporti i së përditshmes beogradase “Politika” lidhur me rastin e ushtarit shqiptar Myftar Hasanit më 21 prill të vitit 1925.

Ekzekutimi në mëngjesin e 8 shtatorit të vitit 1929, sipas gazetës “Pravda”

Pas dhjetë ditësh, Myftar Hasani është burgosur dhe mbajtur në burg për katër vjet e gjysmë. Raporti në vijim e përshkruan në detaje ekzekutimin e Myftar Hasanit në javën e parë të shtatorit të vitit 1929.

“Sot në mëngjes më 8 shtator u zbatua dënimi me vdekje mbi Myftar Hasanin, i cili vrau oficerët administrativë, Kokotoviq, Paniq dhe kolonelin rus Uspenski. Për ekzekutimin e Myftarit, dhe vendin ku është kryer pushkatimi në Petrovaradin por edhe në Novi Sad ka mbretëruar interesim i madh. Qysh rreth orës 2:00 pas mesnate, rreth llogoreve të vendit të ekzekutimit, nisën të tuboheshin njerëzit kureshtarë. Ndërsa rreth orës 04 aty u mblodhën rreth 5000 njerëz: numri më i madh i tyre ishin femra! Masa e madhe e njerëzve ishin drejtuar drejt vendit të ekzekutimit të Myftar Hasanit, po ashtu edhe kolona të tëra veturash ishin nisur drejt ‘Portës së Beogradit’ duke vazhduar drejt Stacionit të Trenit. Masa e tubuar e njerëzve ishte aq e madhe, saqë skuadrat e ushtarëve kujdestarë e patën shumë vështirë që ta ruanin rendin”.

Natë e ankthshme dhe jo e qetë për të dënuarin

“Myftar Hasani, i dënuar me vdekje e kaloi natën në ankth! Qysh të premten në mbrëmje atij iu kumtua lajmi se do të pushkatohej ditën e sotme. Pasi e mori lajmin ai u thellua në heshtje. Gjatë natës, Myftarin në qeli e vizitoi zëvendësi i hoxhës Blekiq dhe ai prapë provoi që të ndikojë mbi të, duke u betuar në Allahun dhe Kur’anin dhe e luti atë që ta pranonte krimin që e kishte bërë? Myftari edhe më tej mbeti këmbëngulës duke pohuar se ai ishte i pafajshëm, duke thënë se do të shkonte ‘në xhenet’ e jo në “xhehenem” prandaj edhe nuk ka arsye pse ta pranojë fajin që nuk e kishte bërë! Edhe kësaj here Myftari refuzoi ta pranonte ushqimin, vetëm e kërkoi një gotë ujë. Më pas ai u qetësua pak dhe tërë natë e kaloi në pagjumësi”.

Image
“Në ditën e parë të Pashkëve në mbrëmje midis orës 21:00 dhe 22:00, si viktima të mizorisë së një ushtari shqiptar, u vranë togerët administrativë të ushtrisë sonë Millan Paniq, tridhjetëvjeçar, babai i dy fëmijëve dhe Dushan Kokotoviq që shërbente në artileri. Viktimë ra edhe një ish-kolonel rus, tani nëpunës në një ndërmarrje private. Ngjarja u zhvillua si në vijim: ‘Vrasësi quhet Myftar Hasani, është i lindur në Serbinë e Jugut, i cili tre vjet më parë ishte arratisur në Hungari dhe me të kthyer i dënuar si dezertor, ai menjëherë u dërgua në shërbim të detyruar ushtarak….”
Në mëngjes

“Qysh herët në mëngjes ishin bërë të gjitha përgatitjet për ekzekutimin e dënimit me vdekje. Rreth garnizonit të burgut ishte tubuar një mase e madhe e njerëzve kureshtarë. Rreth orës katër e gjysmë, aty arriti hetuesi – kapiteni i klasit të parë z. Bora Popoviq, i cili menjëherë u drejtua drejt qelisë së Myftarit, me ç’rast ai urdhëroi që i dënuari të pastrohej sipas ritit fetar. Kur kjo u bë, Myftari u vesh në uniformë të re ushtarake, dhe më pastaj u dha urdhri që atij t’i afrohej ngushëllimi i fundit. Në ato çaste aty prapë arriti zëvendësi i hoxhës, që në çastet e fundit u mundua prapë ta bindë Myftarin që ta pranonte vrasjen e bërë? Myftari vetëm i ngriti duart lart qiellit duke e përsëritur se ishte i pafajshëm dhe nuk e kishte kryer krimin! Në orën pesë e gjysmë arriti një skuadër e ushtarëve nën komandën e kapitenit Llazo Mihailloviq, më pastaj arriti dhe vetura ushtarake që ishte caktuar ta çonte të dënuarin drejt vendit të pushkatimit. Vetura, ndaloi menjëherë te porta e granizonit. Oficerët e ish-batalionit të Myftar Hasanit, në krye me majorin Gjurkoviq, u nisën drejt qelisë, ku Myftari ishte i gatshëm që të nisej drejt vendit të ekzekutimit. Kapiteni Bora Popoviq u përpoq për herë të fundit të ndikonte mbi Myftarin para ish-oficerëve të tij dhe zëvendësit të hoxhës, që ai më në fund ta pranonte krimin? Myftari e mori qëndrimin ushtarak dhe bërtiti: ‘Asgjë nuk mund të pranojë. Asgjë nuk kam bërë!’

Kur kapiteni Popoviq e pa se çdo përpjekje ishte e kotë, atëherë urdhëroi që të plotësohej dëshira e fundit e të dënuarit, i cili u lut që të përshëndetej me shokët e tij. I rrethuar me një skuadër të ushtarëve, Myftari u përcoll në oborrin e burgut të garnizonit, ku iu lut shokëve të tij që ta falnin atë nëse ai ndonjëherë e kishte rënduar dikë me ndonjë fjalë. Ai u përshëndet radhazi me të gjithë duke ua dhënë dorën atyre. Kur u nxor para portës së burgut, Myftari e shprehu dëshirën që të përshëndetej edhe shokët e tij! Ai u kthye prapë në oborr ku u përshëndet dhe u përfaqua me të gjithë shokët me radhë! Kështu arriti edhe çasti i fundit. Para se të zinte vend në veturën që do ta çonte në vendin ekzekutimit, Myftarit iu hoqën zinxhirët me të cilët ai kishte qenë i lidhur. I rrethuar prej ushtarëve, ai hyri në veturë e menjëherë pas tij hyri edhe mbikëqyrësi i burgut Andrija Miholçiq, mjeku dhe zëvendësi i hoxhës. Kolona me veturën dhe ushtarët shkonte ngadalë drejt vendit të ekzekutimit. Rrugës ajo u prit prej masës së madhe të popullit”.

Në vendin e ekzekutimit

“Saktësisht në ora 05 e 10 minuta, kolona arriti në vendin e ekzekutimit, ku tanimë ishte mbledhur një masë e madhe e popullit. Me përpjekje të mëdha ushtarët e kaluan rrugën drejt vendit të ekzekutimit, aty ky ndaloi kolona. Aty Myftari qëndroi i kthyer me shpinë kah gropa që ishte hapur për të, ndërsa me fytyrë ishte i kthyer kah skuadra ekzekutuese e ushtarëve. I ndihmuar prej një ushtari, ai dukej i nervozuar dhe i zbehtë në fytyrë. Për shkak të urisë (grevës së urisë) ditëve të fundit ai kishte ndryshuar shumë. Në fytyrë i janë paraqitur hulli të thella! Në përgjithësi ai dukej si një njeri gjysmë i nervozuar. Për të satën herë me radhë sytë e Myftarit shkëlqyen, dhe në ta u panë pika loti, ndërsa buzët i dridheshin me nervozizëm, me siguri për shkak të dëshpërimit dhe të pafuqisë së tij. Mjeku i pranishëm aty ia afroi Myftarit një cigare, të cilën e ai e thithi me nervozizëm. Kapiteni Bora Popoviq, prapë iu afrua Myftarit dhe nisi ta lusë që më në fund ai ta pranonte veprën e kryer. Myftari prapë këmbënguli se nuk ishte fajtor dhe se nuk i kujtohet asgjë, ndërsa kapiteni Llazar Mihailloviq nisi ta largonte publikun prej një vendi të rrezikshëm ku mund të godiste ndonjë plumb i shkrepur.

Në orën pesë e gjysmë, kapiteni Bora Popoviq urdhëroi që një skuadër e ushtarëve nën komandën e nëntogerit Ibrahim Pishqeviq ta rrethojë Myftarin e dënuar. Më në fund nisi leximi i akuzës që zgjati një orë të tërë. Myftari dëgjonte fjalët e lexuara me kujdesin më të madh dhe sa herë që përmendej kryerja e krimit ai i patrullonte sytë me nervozizëm. Kur leximi i akuzës së Gjykatës së Shkallës së Parë mbaroi dhe kur radha i erdhi leximit të shprehjes ‘dënohet’, kapiteni Mihailloviq u dha urdhër ushtarëve që të bëheshin gati. I njëjti veprim u përsërit edhe pas vendimit të Gjyqit të Lartë Ushtarak. Leximi i akuzës përfundoi në orën 6 e 25 minuta dhe atëherë u dha urdhri për ekzekutimin e vendimit. Nëntogeri Ibrahim Pishqeviq iu afrua Myftar Hasanit duke iu drejtuar me fjalët: ‘Myftar Hasani ju nuk keni dinjitet të nderit ushtarak dhe për këtë unë do t’ua heq parullat ushtarake dhe prej këtij çasti ju privoj prej çdo të drejte të nderit ushtarak!’ Pas këtyre fjalëve nëntogeri Pishqeviq ia hoqi parullat. M’u në ato çaste nisi të binte shi dhe midis publikut u dëgjua zhurmë dhe shfaqje e nervozizmit. Kapiteni Mihailloviq urdhëroi që i dënuari të lëshohej në gropë. I rrethuar prej skuadrës së ushtarëve Myftari u nis drejt gropës me kokë ulur, derisa gjunjët i dridheshin. Në gropë Myftarin e lëshuan tre ushtarë. Njëri prej tyre me një konop të trashë ia lidhi duart dhe këmbët për një hu që ishte vendosur në një vend paksa më të ngritur. Edhe pas kësaj, atij iu afrua kapiteni Bora Popoviq dhe e luti që më në fund ai ta pranonte fajin duke iu drejtuar me fjalët: ‘Tani në çastin e fundit kur duhet të shkosh para Allahut, pranoje veprën e bërë dhe do ta kesh më lehtë në shpirt!’ Myftari i lidhur duar e këmbë iu përgjigj ngadalë: “Asgjë nuk di kapiten, Asgjë nuk kam bërë!’ ‘Mos u bën kokëfortë dhe pranoje. Do ta kesh më lehtë në botën tjetër’, e përsëriti kapiteni Popoviq. ‘Nuk kam asgjë çka të pranoj. Nuk kam vrarë…’

‘Ti ngelesh deri në fund kokëfortë Myftar…’

Myftari nuk u përgjigj në këto fjalë duke qëndruar kokulur.

‘Myftar, unë jam hidhëruar’, në ty bërtiti kapiteni Popoviq duke ia kthyer shpinën. Kur Myftari e pa se kapiteni ia ktheu shpinën dhe ai po largohej ai bërtiti edhe dy herë: ‘Unë nuk di asgjë. Unë nuk i kam vrarë…’

Më pastaj mbikëqyrësi i burgut Mihelçiqi iu afrua Myftarit dhe nisi t’i lidhë peshqirin rreth syve. Komisioni largohej ndërsa nëntogeri Ibrahim Pishqeviq me jataganin e ngritur qëndronte para pesë ushtarëve të cilët ishin paraqitur vullnetarisht që ta ekzekutonin Myftar Hasanin. Ata qëndronin dhjetë metra larg gropës, të rreshtuar në linjë. Mbretëron një heshtje e madhe, të gjitha shikimet janë të drejtuara në Myftarin e lidhur. Në heshtjen më të madhe nëntogeri Ibrahim Pishqeviq e çon lart jataganin. Kur jatagani i tij u lëshua poshtë në mënyrë energjike, jehuan të shtënat e armëve. Nëpër uniformën e Myftarit nisi të rrjedhë gjak. Për ta kontrolluar trupin e Myftarit iu afrua mjeku dhe e kontrolloi. Pasi e konstatoi se Myftari ishte akoma gjallë, atëherë nëntogeri Pisheqeviq prapë dha urdhër që mbi trupin e Myftarit të shkrepej edhe një breshëri. Në ballin e Myftarin u paraqitën çurga të mëdha gjaku. Ai tani ishte i vdekur. Publiku u përpoq që ta çante kordonin e ushtarëve që ta shihte skenën e tmerrshme për së afërmi. Në komandën e kapitenit Mihailloviq, skuadra e ushtarëve nisi ta largojë publikun, që u shpërnda duke e komentuar ngjarjen me gjallëri të pazakontë”.

Testikujt e të pushkatuarit Myftar Hasani iu shartuan (transplantuan) dy pleqve me qëllim që ata të përtërihen!

Për aktin e fundit të krimit mbi ushtarin shqiptar Myftar Hasani, në detaje ka raportuar edhe gazeta “Pravda” e datës 8 shtator 1929. Në vijim jemi përpjekur që për lexuesit ta ofrojmë të përkthyer fjalë për fjalë raportin, tronditës për fatziun shqiptar që ishte viktimë e politikës shtetërore të zbatuar mbi shqiptarët jashtë atdheut të tyre, Shqipërisë në vitet 1912 – 1999.

“Sot në orën tetë të mëngjesit, në një sanatorium të këtushëm është bërë një operacion shumë interesant që nga këndvështrimi shkencor, gjithsesi do ta tërheqë kureshtjen jo vetëm të mjekëve tanë, por edhe atyre të huaj. Myftar Hasani që u ekzekutua në mëngjesin e sotëm, disa ditë më herët ka pranuar që atij t’i merren testikujt pas pushkatimit (kjo nuk është e vërtetë sepse siç do ta vëreni ky informacion do të hidhet poshtë më vonë prej një raporti tjetër të gazetës “Vreme”- S. L.). Siç është e njohur, funksionimi i testikujve nuk pushon menjëherë pas vdekjes, pra ato vazhdojnë të funksionojnë edhe për një kohë. Menjëherë pas ekzekutimit në vendin ku u pushkatua, mbi trupin e Myftar Hasanit sot u bë një intervenim i pavërejtur prej askujt dhe pasi masa u shpërnda, pra prej trupit të Myftarit u hoqën testikujt. Ato u vendosën në një kuti të sterilizuar e cila u bart në sanatorium, ku dy pleq i prisnin ato me padurim në tavolinën e operacionit. Intervenimi mbi ta u bë me qëllim të përtëritjes së tyre. Pra testikujt e Myftar Hasanit u vendosën në organizmat e pacientëve. Aq sa mund të shihet, deri më tani operacioni ka pasur sukses dhe përveç shqetësimit, pacientët nuk kanë as dhembje e as temperaturë. Se sa ka qenë i suksesshëm operacioni do të shihet pas disa ditësh, kur testikujt do të adaptohen në organizmin e të posa operuarve. Operacionin e ka kryer një mjek i njohur i këtushëm, që një kohë të gjatë ka qëndruar në Paris dhe e ka pasur rastin t’i shohë për së afërmi operacionet e doktor Vornoffit. (Serge Abrahamovitch Voronoff (1866 – 1951) ishte kirurg francez me origjinë ruse, që u bë i famshëm për ksentransplantimin e indeve testikulare nga majmunët në testikujt e meshkujve, të cilën ai e bëri me qëllim të parandalimit të plakjes. Doktor Vornoff këtë e praktikoi në Francë në vitet 1920 dhe 1930 – sqarim S. L.) . Njëri prej të operuarve është i pamartuar dhe i ka 72 vjet, ndërsa tjetri është martuar kohë më parë, edhe pse i ka gjashtëdhjetë e shtatë vjet. Pacientët presin rezultate të mira. Ky operacion është komentuar me interesim të madh në Novi Sad dhe është krahasuar me operacionin identik që është kryer një vit më herët në qytetin ne Zajeçarit”.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturës (Koha.net)