Politika e reminishencave historike
Anzhuloviqi e hedh poshtë mitin mbi shtetin mesjetar serb. Fuqizimi i këtij parashteti mesjetar çoi në pushtimin e tokave joserbe në Kosovë, Maqedoni ose Epir. Ai u ngrit mbi rrënojat e Bizantit, kurse shteti i drejtuar nga Car Dushani u shpërbë për shkak të mungesës së lojalitetit të “vlastelinëve”.
Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë
Libri Miti mbi Serbinë Qiellore (1999) i studiuesit kroat Branimir Anzhuloviqit (1926-2001), është sprovë historike, kulturologjike dhe sociologjike mbi ideologjinë hegjemoniste serbe.
Branimir Anzhuloviqi jetoi në Argjentinë dhe SHBA, doktoroi për Letërsi të Krahasuar në Universitetin e Indianës dhe ishte pedagog në disa universitete amerikane.
Në këtë libër, ku ka edhe gjëra të kontestueshme, ai shkruan për rrezikun që i kanoset jetës politike dhe shoqërore nga keqpërdorimi i miteve; për mitin mbi “Serbinë Qiellore”; për mitin mbi “armiqtë e përjetshëm të Serbisë”; për “frikën nga zhdukja” (temë e preferuar në jetën intelektuale serbe, veçanërisht shumë e shprehur te Fjalori Khazar i MiloradPaviqit); për burimet e ideologjisë nacionaliste serbe dhe për pranimin e miteve serbe nga elitat perëndimore.
Mitet dhe krimet
Mitet, sipas autorit, kanë luajtur rol vendimtar në aktet gjenocidale gjatë shekullit XX. Frika, urrejtja dhe ambiciet ekspansioniste, të gërshetuara me mitet, gënjeshtrat dhe mashtrimet e nxitën agresionin nazist dhe fashist. Kjo metodë është zbatuar edhe nga ideologët serbë. Kriza morale dhe qytetëruese e serbëve në periudhën e regjimit të Millosheviqit, sipas autorit, ndodhi për shkak të rishqyrtimit të miteve tradicionale dhe “ikonave” kulturore.
Miti i Kosovës u afirmua prej Kishës Ortodokse Serbe dhe prej elitës intelektuale. Knjaz Lazari paraqitet si pandan i Krishtit. Serbët paraqitën si “popull i zgjedhur”, që kanë luftuar për “mbretërinë qiellore”.
Ideologët serbë janë thirrur dhe thirren në shenjtëri: popull i shenjtë, tokë e shenjtë, luftë e shenjtë serbe, gjuhë e shenjtë, shtet i shenjtë mesjetar; shenjtorë serbë, por përkundër asaj që thuhet e shkruhet, legjendat për Kosovën janë kontradiktore. Edhe pse humbja ushtarake në Betejën e Kosovës është projektuar si fitore morale dhe si sakrificë për “mbretërinë qiellore”, heronjtë e kësaj beteje ishin me thika, kurse flijimet lidhen me mashtrimin dhe vrasjen. Ata, sipas autorit, nuk u udhëhoqën sipas etikës së krishterë, por sipas etikës pagane – heroike.
Mitet serbe, sipas autorit, ishin pranuar pa gjykim kritik edhe nga elitat perëndimore, që kishin nxitur mendjemadhësinë e Serbisë dhe ambiciet ekspansioniste për pushtim të territoreve të reja. Këto elita, të ndikuara nga propaganda, besonin se serbët ishin “populli i fisëm”, që e mbronte Jugosllavinë, kurse kroatët perceptoheshin si “populli profashist”, që donte ta shkatërronte këtë shtet. Për këtë qëllim, elitat politike dhe kulturore serbe kanë propaganduar vazhdimisht për kinse gjenocid ndaj serbëve në Kroaci dhe Kosovë.
Sipas Zvonimir Despot-it, po për këtë shkak, bashkësia ndërkombëtare dështoi në parandalimin e luftërave në ish-Jugosllavi. Shumë burrështetas europianë nuk e njihnin realitetin dhe nuk kishin zgjidhje kundrejt aspiratave serbe që donin ta shndërronin Jugosllavinë në Serbi të Madhe. Despot-i shkruan se ekspansioni serb, i shprehur veçanërisht gjatë luftërave ballkanike, ishte bërë i kobshëm për kroatët, boshnjakët, shqiptarët dhe popujt tjerë. Madje, edhe për vetë serbët.
Afrimi i kishës dhe shtetit
Autori merret edhe me lidhjet e kishës me shtetin, që te serbët ka rrënjë të thella në histori. Kisha e përkrahu edhe regjimin e Millosheviqit dhe shprehu qëndrim armiqësor ndaj demokracisë dhe humanizmit europian. Millosheviqi u projektua si “mbrojtës i popullit serb” nga “fqinjët e këqij”.
Në Serbi përherë ka qenë e fuqishme dhe kontradiktore lidhja e shtetit me kishën. Sipas Anzhuloviqit, shumica e shenjtorëve serbë janë prijës luftarakë ose anëtarë të familjeve të tyre. Disa të kanonizuar, thotë ai, kishin bërë krime ose kishin biografi të papërshtatshme për të qenë të tillë. Mbreti Milutin e verboi djalin e tij, Stefan Uroshin, kurse Stefan Lazareviqi ishte vasal i osmanëve.
Afrimi i kishës me shtetin prodhoi mitomani nacionaliste dhe mesianizëm politik. Ky afrim, sipas autorit, kishte ndodhur edhe në Kroaci.
Serbët nuk ishin viktima të historisë
Anzhuloviqi e hedh poshtë edhe mitin mbi shtetin mesjetar serb. Fuqizimi i këtij parashteti mesjetar çoi në pushtimin e tokave joserbe në Kosovë, Maqedoni ose Epir. Ai u ngrit mbi rrënojat e Bizantit, kurse shteti i drejtuar nga Car Dushani u shpërbërë për shkak të mungesës së lojalitetit të “vlastelinëve”.
Anzhuloviqi e hedh poshtë edhe tezën se serbët ishin viktima të Perandorisë Osmane. Vuk Brankoviqi dhe prijës të tjerë serbë ishin vasalë të kësaj perandorie, shkruan ai, kurse serbët më shumë kishin bashkëpunuar me osmanët sesa me austriakët, sepse më shumë i frikësoheshin katolicizmit sesa fesë islame. Pati prijës të tjerë serbë, që e kishin pranuar vasalitetin që para Betejës së Kosovës. Kështu, sipas autorit, pushteti osman nuk ishte “e keqja apokaliptike” për serbët dhe as serbët nuk ishin viktima të historisë.
Burimet e ideologjisë hegjemoniste
Anzhuloviqi shkruan edhe për ideologët e nacionalizmit serb. Sipas tij, ideja për Serbinë e Madhe, që bazohej në gjuhë, ishte formësuar nga Dositej Obradoviqi. Ideja e panserbizmit ishte formësuar nga Vuk Karaxhiqi. Vazhdoi me Njegoshin, Garashaninin, Cvijiqin, Moleviqin, Çubrilloviqin, Pashiqin, Karagjorgjeviqin e disa të tjerë, kurse më vonë me Dobrica Qosiqin, Rankoviqin, mitropolitin Amfilohije, Millosheviqin, Borisav Joviqin, Radovan Karaxhiqin, Matija Beqkoviqin, Vuk Drashkoviqin, Danko Popoviqin e shumë të tjerë.
Ideologët serbë, që përpiluan “projekte politike të bazuar në reminishenca historike”, ishin fajtorët kryesorë për dhunën shtetërore ndaj popujve të tjerë.
“Fajtorët kryesorë për shpërthimin e dhunës në fundshekullin XX nuk ishin barinjtë primitivë, por njerëzit e shkolluar, urbanë dhe me ndikim. Ishin romansierët, poetët, kritikët letrarë, psikiatrit dhe intelektualët që arritën t’i bindnin shumë bashkatdhetarë të tyre se ishin të rrezikuar nga zhdukja. Ishin krerët e Kishës Ortodokse Serbe, të cilët deshën që gjithë territoret nën juridiksionin e saj të bëheshin pjesë e shtetit serb. Ishin politikanët populistë që i nxitën pasionet nacionaliste për t’i përforcuar pozitat e tyre. Ishin gjeneralët e paguar mirë që besonin se me arsenalin e madh të APJ-së do ta ruanin ish-Jugosllavinë dhe privilegjet e tyre”.
Popullata e thjeshtë dhe kriminelët e asfaltit, që u shpallen heronj kombëtarë, ishin vetëm mjeti që kishin rastin të plaçkitnin, dhunonin dhe të vritnin për qëllimet e elitës.
“Elitat serbe nuk do ta mobilizonin dhe as nuk do ta gëzonin përkrahjen e njerëzve të mjaftueshëm për luftë nëse ata nuk do të ishin ndikuar nga mitet nacionale”.
Anzhuloviqi shkruan se mitomania politike serbe është e dëmshme jo vetëm për popujt fqinj, por edhe për vetë serbët. Serbia, kështu, u bë shembull sesi nuk duhet të veprojnë shtetet. Sipas autorit, popujt mund të përparojnë vetëm kur i kontestojnë mitet e tyre, kur në vend të irracionales udhëhiqen nga gjykimi i arsyeshëm. Besimi i verbër në mite çon në krime kolektive. Për këtë shkak, sipas autorit, është detyrim moral i secilit që të punojë për ta çliruar politikën nga mitet, gënjeshtrat dhe mashtrimet. Popujt, shkruan ai, mund të mbrohen nga ndikimet e dëmshme, duke e zhvilluar kulturën, shkencën, ekonominë; duke krijuar shtet të së drejtës; duke e afirmuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe duke e luftuar ksenofobinë.
Projekt i vjetër, paketim i ri
Serbia vazhdon që projektet e vjetra hegjemoniste t’i paraqesë me paketim të ri. Tani e afirmon projektin hegjemonist të ashtuquajtur “Bota serbe”. Ky projekt, që synon krijimin e Serbisë së Madhe, është formësuar nga qarqet intelektuale të afërta me Kishën Ortodokse Serbe dhe me kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kurse afirmohet nga ministri i tij, Aleksandar Vulin, dhe disa historianë serbë.
“Bota serbe” është projekt, siç thuhet, për “bashkimin e tokave serbe”, për “zgjidhjen e çështjes serbe, pengimin e krijimit të Shqipërisë së Madhe dhe si garanci se serbët më nuk do të përjetojnë gjenocid”.
Vulini ka thënë: “Nuk është zgjidhje nëse të gjithë serbët jetojnë në shtete të huaja, por kur shumica e serbëve jetojnë në shtetin e tyre”.
Ky politikan, që analistët e kanë quajtur “kloun politik”, e thotë atë që e mendon Vuçiqi dhe e ka si mision që t’i afirmojë përcaktimet strategjike të politikës zyrtare serbe.
Serbia, me këtë projekt, dëshmon se nuk ka hequr dorë nga qëllimi hegjemonist. Për këtë shkak ajo ndërhyn në punët e brendshme të shteteve fqinje, vazhdon të armatoset dhe të krekoset si “superfuqi” rajonale. Mjerisht, ky projekt mbështetet tërthorazi nga disa qarqe maqedonase. Ata, me Vuçiqin, e kanë të përbashkët urrejtjen ndaj shqiptarëve, por edhe formimin e tyre kulturor proserb./SHENJA
*Për shkak të natyrës së revistës, janë hequr të gjitha referencat