Maqedoni

Policia po heton rastin me të shtënat e armëve, Zaev mesazh Spasovskit: Të zbardhet incidenti

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka ende asnjë informacion në lidhje me personin që ka shtënë me armë zjarri në hapjen e shtabit të BDI-së në Çair. Nga MPB për TV SHENJA kanë thënë se është hapur hetimi për rastin, dhe në momentin që do të ketë ndonjë informacion do ta kumtojnë të njëjtën.

Rastin në fjalë, gjatë ditës së sotme e ka komentuar kryeministri Zoran Zaev. Ai ka thënë se aktet të tilla, nuk i ngjasojnë një vendi i i cili aspiron të bëhet pjesë e BE-së. Zaev, njofton se ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, të zbardhet rasti sa më shpejtë me qëllim që në të ardhmen mos të përsëriten veprime të tilla.

Zoran Zaev, kryeministër

“Pa dallim se për kë bëhet fjalë kjo është e palejueshme, nuk e di se cili ka qenë qëllimi, nëse mendon se dikush me këtë fiton vota gënjehet, ky veprim të humb vota. Demonstrimi i forcës, muskulave madje edhe gjuajtja në ajër është me të vërtetë e pa hijshme për një vend i cili është kandidat për anëtarësim në BE dhe në fund të ditës nuk është as pragmatike. Më duhet ta them atë që ja thash edhe ministrit Spasovski publikisht të veprohet, nuk më intereson se për kë bëhet fjalë që ajo të mos përsëritet”

Përpos në Çair, mbrëmjen e djeshme në rrjetet sociale është paraqitur edhe një video gjatë hapjes së shtabit të BDI-së në Zhelinë, ku edhe atje është përdorur armë zjarri.
/SHENJA/