Policia: Ka ndodhur kidnapim klasik nga forcat serbe
16:58 – Krasniqi: Rrëmbimi i policëve, shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria që të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.
Krasniqi ka thënë se ajo që ka ndodhur të mërkurën është shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Aksioni i forcave serbe tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione dhe për të kërcënuar paqen dhe sigurinë në rajon. Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për lirimin e menjëhershëm të policëve të rrëmbyer dhe për të garantuar integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, Qeveria duhet që të angazhohet urgjentisht dhe me seriozitet për riparimin e raporteve me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme që sjellë normalitet në pjesën veriore të Kosovës.
Bislimi reagon pas kidnapimit të policëve të Kosovës
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se vrazhdësia me të cilën Serbia po i shkel marrëveshjet, është e krahasueshme me vullnetin e Brukselit “për t’i mbyllur sytë karshi këtyre shkeljeve”.
Ai këtë deklarim e bëri në Facebook, derisa shpërndau postimin e kryeministrit Albin Kurti, që reagoi pasi tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, sipas autoriteteve, u kidnapuan në Leposaviq.
“Vrazhdësia me të cilën Serbia po shkel marrëveshjet është e krahasueshme me vullnetin e Brukselit për t’i mbyllur sytë karshi këtyre shkeljeve”, shkroi Bislimi.
16:38 – Haxhiu: Faktori ndërkombëtar duhet të përgjigjet për provokimet e Serbisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve të kidnapuar nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës të mërkurën.
Haxhiu ka kërkuar reagimin e ndërkombëtarëve për atë që e ka quajtur “provokim” të Serbisë me qëllimin për të destabilizuar situatën në veri të vendit.
“Zyrtarët policorë duhet të lirohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe veprime të tilla agresive duhet të ndalojnë. Serbia kriminale ka kidnapuar tre pjesëtarë të Policisë së Republikës së Kosovës në Leposaviq. Për provokime të tilla, të organizuara nga Serbia me qëllimin për destabilizimin e situatës në veri, faktori ndërkombëtar duhet të përgjigjet”, ka shkruar ajo.
16:12 – Arsenijeviq tenton të fusë flamuj të komuniteteve në objektet qeveritare
Kryetari i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa Serbe”, Aleksandar Arsenijeviq, ka tentuar që të vendosë sot flamuj të komuniteteve, në mesin e tyre edhe atë serb, në objektin e ish-Rilindjes, ku janë disa ministri. Një gjë të tillë e kanë penguar pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Teksa ka shprehur kundërshtinë e tij, Arsenijeviq ka vënë theksin pikërisht te flamuri serb.
“Kur komuniteti shumicë shqiptare mundet, pse nuk mundemi edhe komunitetet e tjera. Nuk solla vetëm flamurin serb, simbolin e komunitetit serb, por edhe simbolet, siç mund të shihni e komuniteteve boshnjake, serbe, turke, rom. Këtu jetojnë edhe goranët, egjiptianët, ashkalinjtë dhe romët, nuk jemi vetëm ne serbët dhe shqiptarët, dhe le ta bëjmë të ditur….se 24 vjet më vonë, duhet të theksojmë se përveç komunitetit shumicë shqiptare, duhet t’i vendosin edhe komunitetet e tjera jo shumicë. Ne të gjithë kemi të drejta e njëjta, siç mund ta shihni”, ka deklaruar ai./KP
15:59 – Kosova ndalon hyrjen e të gjitha mallrave nga Serbia
Qeveria e Kosovës ka vendosur që asnjë mall nga Serbia nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë, ka mësuar KOHA.
Kjo ka ardhur pas kidnapimit të tre policëve kufitarë në veri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se përveç agresion ky është edhe synim për destabilizim.
Për këtë ka reaguar edhe Policia e Kosovës dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla të cilët kanë kërkuar nga organet ndërkombëtare lirimin e menjëhershëm të tyre.
Policia e Kosovës do të mbajë konferencë për media në orën 17:00.
15:36 -Çitaku për kidnapimin e policëve: S’është vetëm agresion, është çmenduri
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka konsideruar si “çmenduri” kidnapimin e tre policëve kufitarë të Kosovës nga forcat serbe në veri.
Teksa ka postuar foton e policëve të kidnapuar, të publikuara nga mediat serbe, Çitaku ka thënë se ky nuk është vetëm një akt agresioni.
“Tre policë kosovarë janë kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës. Ky nuk është vetëm një akt agresioni. Kjo është çmendur”, ka shkruar ajo në Twitter.
14:47 – Sveçla: Serbia ka shkelur çdo parim ndërkombëtar, të lirohen policët e kidnapuar
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia brenda territorit të Kosovës i ka kidnapuar tre zyrtarë policorë të Kosovës.
Sveçla ka thënë se zyrtarët policorë të Kosovës kanë qenë thellë brenda territorit të Kosovës, dhe se veprimi nga ana e Serbisë është shkelje e çdo marrëveshje e çdo parimi të normave ndërkombëtare.
“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare. Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta. Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtarë që ta rrisë presionin ndaj Serbisë që të lirojë policët kosovarë dhe po ashtu të ndalen provokimet.
“Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj. Sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend”, ka shkruar Sveçla.
14:23 – Tre policë të Kosovës kidnapohen në veri nga forcat serbe
Tre policë të Kosovës dyshohet të jenë kidnapuar të mërkurën në mesditë nga forca serbe, brenda territorit të Kosovës, në një nga rrugët e veriut të vendit, që sipas Policisë, shfrytëzohej si rrugë ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë nga Serbia.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, kidnapimi i tyre është bërë në një pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare.
Sipas njoftimit, tre policët që ishin në detyrë në këtë pikë statike, kishin njoftuar bazën se kanë vërejtur persona të maskuar dhe armatosur. Kur në vendin e ngjarjes, sipas njoftimit, kanë arritur njësitet shtesë të Policisë, aty është gjetur vetura zyrtare, por jo edhe policët.
“Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe. Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në mediat në Serbi është raportuar më herët “për arrestim” të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Mediat në Serbi kanë publikuar fotografi për të cilat thonë se janë tre policët e Kosovës, që të mërkurën, sipas Policisë së Kosovës, janë kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të vendit.