Kosovë

Policia e Kosovës kapi dy serbë në Leposaviq me bluza të “Wagner”-it

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë intervistuar dy persona, të cilëve iu janë gjetur dy emblema të ushtrisë serbe, bluzë me mbishkrmin e shkronjës “Z” dhe “Wagner” dhe gjësende të tjera.

Një informacion i tillë është bërë i ditur në raportin 24-orësh i PK-së. Sipas raportit, rasti ka ndodhur të martën rreth orës 13:10 në Leposaviq dhe është iniciuar si “Nxitje e urrejtjes, përçarjes e mosdurimit kombëtar”.

“Leposaviq 31.10.2023 – 13:10. Policia ka ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar, shtetas i Serbisë duke drejtuar automjetin e tij ku gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar: një boks hekuri, dy emblema të ushtrisë serbe dhe një shkop bejsbolli, ndërsa te pasagjeri mashkull serb kosovar, është vërejtur një maicë me mbishkrim të shkronjës ,, Z’’ ndërsa nga mbrapa –shpinë me mbishkrim e grupit Wagner. Të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt hetimore”, thuhet në njoftim.