September 19, 2024
Maqedoni

“Po vendos në pozita udhëheqëse në burgje, persona që kanë qenë të dënuar me burg” – Opozita maqedonase me akuza ndaj VRMO-së

Opozita maqedonase akuzon VMRO-në se po vendos në pozita udhëheqëse në burgje, persona që kanë qenë të dënuar me burg, shkruan Alsat.

Metodija Ilievski nga LSDM-ja tha se me vendim të kryeministrit Hristijan Mickoski, në burgun e Idrizovës, për pavijonin e hapur në Veles u.d. zv/drejtor është emëruar Ibrahim Elezi nga VLEN, person i dënuar më herët me burg.

“Ibrahim Elezi u dënua dhe ka qenë 4 vite në burg, nga viti 2013 deri në vitin 2017 në Idrizovë. Vepra për të cilën u dënua ishte prodhimi dhe shitja e paautorizuar e drogës. Tani të njëjtin, Mickoski dhe VMRO-DPMNE e bëjnë drejtor të burgut Idrizovë, Reparti i Velesit? Kjo nuk është normale. Si është e mundur që një kriminel të jetë përgjegjës për një burg”, tha Metodija Ilievski, LSDM.

Nga LSDM-ja thonë se edhe u.d drejtor i burgut të Prilepit, Emil Janeski është person me padi penale.

“Janeski në vitin 2020 ka qenë drejtor i NPK “Ujësjellës dhe kanalizim” – Prilep dhe kundër tij, MPB ka ngritur kallëzim penal për “punë të papërgjegjme në detyrë” dhe dëm ndaj buxhetin të ndërmarrjes në vlerë prej 2.3 milionë euro”, u shpreh Metodija Ilievski, LSDM.

Por nga Qeveria u kundërpërgjigjën se LSDM-ja po përhap dezinformata. Ekzekutivi thotë se zv/drejtori i burgut të Idrizovës nuk është emëruar pavarësisht se ka pasur propozim të tillë. Emërimi do të bëhet në seancën e ardhshme të Qeverisë. Ndërkaq, sa i përket u.d të burgut të Prilepit, Emil Janeski, bëjnë thirrje për respektimin e prezumimit të pafajësisë. Ekzistimi i padisë penale pa aktvendim të plotfuqishëm nuk do të thotë se personi ka kryer veprën penale, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Qeveria pak ditë më parë ndërroi drejtorët e të gjithë burgjeve në vend. Ndryshimet erdhën pas inspektimit të jashtëzakonshëm që kreu drejtori i Zbatimit të Sanksioneve Aleksandar Pandov. Ky i fundit tha se ka dorëzuar pranë organeve hetuese shkeljet ligjore që ka konstatuar gjatë vizitave nëpër burgje./ Alsat.mk