Po i vendoste eksploziv një veture të huaj, i shpërtheu në duar, humb jetën 24-vjeçari në Elbasan
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Elbasan në orët e para të mëngjesit në lagjen e ish-Kombinatit të drurit.
Një i ri 24-vjeçar ka humbur jetën, pasi një lëndë plasëse i ka shpërthyer në duar. Ai ka pësuar dëme të mëdha në trup dhe si pasojë e plagëve të shumta ka humbur jetën.
Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur teksa ai po vendoste lëndë plasëse në automjetin në pronësi të një shtetasi tjetër.
“Rreth orës 04:10, në lagjen “Shënkoll”, dyshohet se një shtetas rreth 24 vjeç, duke vendosur lëndë eksplozive në automjetin tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetasit R. Ç., lënda eksplozive ka shpërthyer dhe për pasojë 24 vjeçari është dëmtuar dhe transportuar në spital. Si pasojë e plagëve të marra 24-vjeçari ka humbur jetën në spital.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Departamentit të Policisë Kriminale në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për zbardhjen e ngjarjes”, njofton policia.