Pishtarët e arsimit shqip, Gëzimi dhe Suzana, burrë e grua që 44 vjet kontribuan në edukimin e gjeneratave në Shkup
Gëzimi dhe Suzana janë çift në pension të cilët gjithë jetën e tyre ia kanë kushtuar arsimit dhe edukimit të gjeneratave.
Gëzimi ka punuar si arsimtarë i edukatës fizike ndërsa Suzana, arsimtare e gjuhës dhe letërsisë shqipe.
“Pas 44 vitesh të ndalësh menjëherë punën ishte e vështirë, ende nuk ambientohemi dhe nuk mund ta pranojmë se jemi pensionistë. Na mungon ditari, kolegët por edhe nxënësit”, thanë Suzana dhe Gëzim Fida – pensionistë.
Tani së bashku po shijojnë ditët e pensionit dhe së bashku, çdo ditë dalin rreth lumit Vardar në Shkup, dhe merren me aktivitete sportive.
Sfida e parë me të cilën ballafaqohen pensionistët pas daljes në pension sipas këtij çifti është adaptimi në jetën e pensionistit, por sipas tyre, nëse arrin të menaxhosh kohen edhe kjo sfidë tejkalohet.
”Sfida e parë pas pensionimit është adaptimi në jetën e pensionistëve. Pas 44 vitesh të mësohesh që gjysmën e ditës ta kalosh në punë dhe të kthehesh ndërsa në pension, zgjohesh dhe nuk din çfarë të bësh është e pa mundur të kalohet dita por ne gjetëm sfidë tjetër me ushtrimet për shëndet dhe na ndihmon shumë për shëndetin tonë dhe kështu e kalojmë ditën, duke ushtruar e duke dalë me shoqëri. Për mua ka qenë shumë e vështirë edhe sot më mungojnë nxënësit, ndonjëherë them nuk e kam ditarin dhe të zbres të marr nxënësit në oborr, me kap nostalgjia kur e shoh ndonjë shkollë, e përjetova rëndë”, tha Suzana dhe Gëzim Fida – pensionistë.
Sipas të dhënave të fundit, në vendin tonë kemi 346 mijë pensionistë, prej të cilëve 34 për qind e tyre marrin pension nga 15 mijë deri në 19.500 denarë, ndërsa rreth 8 për qind kanë pension më të lartë se 39.000 denarë. Për shkak të mungesës së kuadrove deficitarë në arsim, administratat e kaluara ekzekutive kishin planifikuar rritjen e kufirit të pensionimit, por një gjë e tillë nuk është bërë./Alsat.mk