Pikë e re vaksinimi në Shutkë, banorët imunizohen pa termin me Sinovac
Banorët e komunës së Shutkës në orët e hershme të mëngjesit ia mësynë Poliklinikës. Kjo ngaqë prej sot përveç shërbimeve që ofron poliklinika, aty mund edhe të vaksinohen. Ky çift rreth të 65ve, me të dëgjuar këtë lajm erdhi në pikën e re për vaksinim dhe po presin radhën.
“Është mirë, ja edhe ne në Shutkë kemi punkt, mos të ecim nëpër vapë, diell. Këtu më mirë është, radha ka qenë të ketë edhe në Shutkë vaksinim. Njëjte mendoj. Duhet të mbrohemi me vaksinë, shiko sa shumë po vdesin, mos dashtë Zoti. Ju e bindët burrin, ose ai juve? Jo, jo, bashkërisht”, tha ky banor.
Infermierja Suzana Musli tha se interesimi është në nivel dhe se deri në mesdite janë vaksinuar rreth 50 banorë të kësaj komune.
“Ne kur erdhëm në punë, kishte persona që prisnin për vaksinim. Interesimi është i lartë. Turrën e para të vaksinave e aplikuam, u pastrua dhe dezinfektua hapësira, kemi filluar me turrën e dytë. Besoj se do të jetë shumë mirë. Tani për tani punon vetëm një ndërrim, por më tej do të ketë edhe ndërrim të dytë edhe gjatë të shtunave. Duam që të gjithë në Shuto Orizari të vaksinohen”, shtoi Musli.
Për të kontrolluar se si po ecën dita e parë e vaksinimit në Shutkë, erdhi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, të cilin e shoqëronin nga pas dhjetëra persona. Infermieret përveç raportit për vaksinim i thanë edhe se nuk punon kondicioneri dhe se e kanë vapë. Pas kësaj Filipçe ndau kohë për të shkrepur foto me të punësuarit dhe kolegët, pastaj me qytetarët që kishin ardhur për vaksinim, e në fund doli përpara gazetarëve, ku shpjegoi arsyen se përse ka pasur tollovi në disa pika vaksinimi.
“Unë mendoj që qytetarët duan ta përfundojnë punën më herët, derisa është më freskët. Nuk e di që ka pasur incident. Shpresoj të mos ketë. Unë mendoj se është një sistem i mirë për të vazhduar pa termin në mënyrë që të ketë sa më shumë interes, qasje, qytetarët mund të vijnë në çdo pjesë të ditës dhe të mos kthehen mbrapsht pa u vaksinuar”, tha Filipçe.
Përndryshe vaksinimi në terren po realizohet me Sinovac, ngaqë siç thonë autoritetet shëndetësore është më praktike për përdorim. Qytetarët nga Shkupi, pa termin mund të vaksinohen në Poliklinikat “Jane Sandanski”, “Bukuresht”, “Çair” prej sot edhe “Shutkë”.