BallinaMaqedoni

Pesha e votës, jo e njëjtë në të gjitha njësitë

Mungesa e baraspeshës mes njësive zgjedhore krijon një raport jo të drejtë mes partive politike dhe mandateve që dalin nga zgjedhjet. Formula që përcakton mandatet, bazohet në numrin e votuesve në njësi zgjedhore dhe dalja në votime, andaj votat e nevojshme për një deputet variojnë nga njëra njësi në tjetrën.

Në nivel shtetëror LSDM-ja dhe koalicioni për Ardhmëri Evropiane ka marrë 154.684 vota kurse Fronti Evropian 137.561. Me këtë, LMSD-ja ka 17 mijë vota më shumë por një mandat më pak se Fronti Evropian në Kuvend. Dallimi mes Të Majtës dhe “ZNAM” në nivel shteti është 12 mijë vota në favor të “Të Majtës” por partitë janë njësoj me numër të mandateve të fituara në Kuvend.

Në njësinë e gjashtë zgjedhore, dallimi mes VLEN dhe Frontit Evropian është 6100 vota por Fronti Evropian ka marrë dy mandate më shumë

Votues sipas njësive zgjedhore

1. Njësia e parë zgjedhore – 313.183 votues të regjistruar – dalja 59%
2. Njësia e dytë zgjedhore – 321.087 votues të regjistruar – dalja 52%
3. Njësia e tretë zgjedhore 275.034 votues të regjistruar – dalja 57%
4. Njësia e katërt zgjedhore – 278.721 votues të regjistruar – dalja 58%
5. Njësia e pestë zgjedhore – 310.216 votues të regjistruar – dalja 51%
6. Njësia e gjashtë – 317.109 votues të regjistruar – dalja 40%

Për disbalancin mes numrit të votuesve mes njësive zgjedhore është biseduar prej kohësh, meqë ajo sjell mosvlerësimin e njëjtë të votës së qytetarëve. Dallimi më i madh është mes njësisë së dytë dhe të tretë, edhe atë më shumë se 46 mijë vota. Kjo nënkupton se për deri sa në një njësi, për t’u zgjedhur një deputet një partie i duhen 8 mijë vota, në njësinë tjetër ku ka më pak votues dhe dalja është më e ulët, deputeti mund të zgjidhet edhe me 3 mijë vota.

Problemin me disbalancin mes njësive mund ta zgjidhë modeli me një njësi zgjedhore, propozim për të cilin shumë nga partitë deklarohen “pro” por nuk e kanë miratuar sa herë që ka qenë në procedurë në Kuvend./ALSAT