Maqedoni

Pesë parti të shqiptarëve në Luginën e Preshevës në koalicion, Kurti përshëndet bashkimin e tyre

Kryeministri Albin Kurti, këtë të diel mirëpriti në Prishtinë përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilët përtej dallimeve politike lokale, kanë vendosur të mblidhen rreth një liste të përbashkët për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi.

“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, ka grumbulluar rreth vetes Partinë për Veprim Demokratik të udhëhequr nga Shaip Kamberi, Partinë Demokratike Shqiptare të Ragmi Mustafës, Lëvizjen e Progresit Demokratik të Shqipërim Musliut, Unionin Demokratik Shqiptar me Naser Azirin dhe Aleancën për Luginën, të përfaqësuar nga Armend Aliu.

Diskriminimi në përfaqësim, pasivizimi i adresave, padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve janë çështje e brenga për të cilat ka nevojë që të flitet me zë të bashkuar e të koordinuar, u tha në takim.

Kryeministri Kurti u uroi përfaqësuesve të këtyre pesë partive politike për dakordimin e arritur dhe u dëshiroi përgatitje e fushatë të suksesshme për zgjedhjet e 17 dhjetorit, e të cilat kanë rëndësi të veçantë për të siguruar përfaqësimin e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë si dhe për synimet e përbashkëta për drejtësi dhe barazi për shqiptarët si pakicë kombëtare atje.

Edhe politikani shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi ka njoftuar se me partnerët e listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kamberi shkruan se “shqiptarët e diskriminuar të Luginës nuk duhet e nuk guxojnë të mbesin pa zë përfaqësimi e pa përfaqësim të zëshëm”.

Ai shton se kryeministrin Kurti e njoftuan për rëndësinë e vazhdimit të përfaqësimit të shqiptarëve në parlament.