Pesë komunave paralele serbe u vihet dryni në veri
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se dyshimet janë që në këto objekte lëshoheshin dokumente të falsifikuara. Aksion ka pasur edhe në një spital, në pjesën e lavanderisë, pas raporteve se aty mund të ketë armatim, ka shtuar ai. Në një komunikatë për media, në Polici kanë bërë të ditur se gjatë aksionit janë konfiskuar prova materiale dhe është gjetur edhe një sasi e fishekëve. E Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kualifikuan aksionin në veri si “vazhdimësi e aksioneve të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës e që vazhdojnë të kenë ndikim direkt dhe negativ në komunitetin serb dhe komunitetet e tjera minoritare në Kosovë”. Reagimit të SHBA-së i janë bashkuar edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe ai francez, Olivier Guerot
You can skip this ad in 3Advertisement
Mitrovicë e Veriut-Prishtinë, 30 gusht – Janë mbyllur pesë objekte të strukturave paralele serbe në komunat me shumicë serbe në veri, pas një aksioni që të premten e ka ndërmarrë Policia e Kosovës.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se që nga e premtja më nuk do të operojnë komunat paralele të Qarkut të i Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, e Zveçanit, e Zubin-Potokut dhe e Leposaviqit.
“Sot, pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook. “Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë. Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës. Nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës sonë”.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se dyshimet janë që në këto objekte lëshoheshin dokumente të falsifikuara. Aksion ka pasur edhe në një spital, në pjesën e lavanderisë, pas raporteve se aty mund të ketë armatim, ka shtuar ai.
E në një komunikatë për media, në Polici kanë bërë të ditur se gjatë aksionit janë konfiskuar prova materiale dhe është gjetur edhe një sasi e fishekëve.
“Policia e Kosovës, gjatë realizimit të detyrave policore, në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar; një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishekë me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë”, është thënë në njoftimin e Policisë.
Kundër aksionit të premten kanë protestuar një numër i vogël serbësh. Politikani serb, Aleksandar Arsenijeviq, ka thënë se qytetarët serbë janë të frikësuar nga prania e Policisë së Kosovës.
“Si do t’ia bëjmë pa qendrën për punë sociale, si pa ndërmarrjen publike komunale, si pa institucionet e tjera të rëndësisë jetike për serbët që u ofrojnë mbrojtje e ndihmë qytetarëve në nevojë”, ka thënë ai.
Arsenijeviqi ka bërë thirrje që serbët “të mos bien pre e provokimeve, sepse këtë e kërkojnë autoritetet në Prishtinë”.
SHBA: Veprimet e pakoordinuara të Qeverisë, i përshkallëzojnë panevojshëm tensionet rajonale
Aksioni i së premtes ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Nëpërmjet një njoftimi të Ambasadës amerikane në Kosovë, aksioni në veri është kualifikuar si “vazhdimësi e aksioneve të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës e që vazhdojnë të kenë ndikim direkt dhe negativ në komunitetin serb dhe komunitetet tjera minoritare në Kosovë”.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtar dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton në përkeqësimin real dhe në rritje të partneritetit tonë”, thuhet në reagim. “Veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtarisht”.
Në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së është thënë po ashtu se Qeveria po e instrumentalizon Policinë dhe se nuk po i qëndron premtimit për “konsulta dhe koordinim të vazhdueshëm me komunitetin ndërkombëtar”.
Reagimit të SHBA-së i është bashkuar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
“Njoftimi nuk është konsultim. Gjermania i bashkohet reagimit të Ambasadës Amerikane në shprehjen e shqetësimit dhe zhgënjimit mbi veprimet e pakoordinuara. Kjo duhet të ndryshojë. Duam të heqim masat dhe të lëvizim përpara në integrimin rajonal dhe evropian të Kosovës. Jo më gjendje krize të panevojshme”, ka shkruar Rohde në Twitter. Ngjashëm ka reaguar edhe ambasadori francez, Olivier Guerot. Ai ka thënë se “veprimet që kanë ndikim të dëmshëm në komunitete, në këtë rast të komuniteti serb, nuk janë të mirëpritura”.
“Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ai në Twitter.
Beogradi e dënon aksionin
“Reagim urgjent” dhe “më të ashpër” i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, pasi aksionit të zhvilluar në veri.
Vuçeviq, nëpërmjet një njoftimi, ka thënë se Serbia ka dërguar një mesazh të qartë se “avokon fuqishëm për paqen dhe stabilitetin” në rajon, porse “nuk do të lejojë dhunë dhe masakër kundër popullit të saj”.
Një konferencë lidhur me aksionin ka mbajtur të premten mbrëma Zllatan Elek, kryetar i Listës Serb, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
“Sot u pa qartë se (kryeministri i Kosovës, Albin) Kurti nuk i do serbët në Kosovë. Kjo është një përpjekje tjetër për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova, e para së gjithash nga veriu. Me këtë veprim sot, Kurti tregoi se nuk i do institucionet e Republikës së Serbisë, nuk e do Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe as serbët në Kosovë, e sidomos në veri”, ka thënë ai.
E drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka theksuar se mbyllja e institucioneve serbe në veri të Kosovës do të ketë “pasoja të gjera në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
“Albin Kurti ka filluar t’i mbyllë të gjitha institucionet serbe në veri të krahinës, të cilat nuk janë institucione paralele, por institucione që duhet të jenë bazë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Petkoviqi. Ai ka shtuar se institucionet e mbyllura u kanë ofruar serbëve në Kosovë “një minimum shërbimesh publike dhe ekzistenciale si, beneficione sociale përmes pagave dhe pensioneve”.
Më herët, në Policinë e Kosovës kanë thënë “qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte, të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”.
Sivjet janë mbyllur edhe shtatë komuna të tjera paralele serbe në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.
Aksioni i së premtes në veri është ndërmarrë në kohën kur Qeveria është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare për veprime “të njëanshme dhe pakoordinuara”, pasi që muajin e shkuar i mbylli disa degë të Postës së Serbisë në veri dhe u zotua që ta hapë urën qendrore mbi lumin Ibër, e cila ndan qytetin e Mitrovicës në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun me shumicë serbe.
Në Qeveri kanë thënë në vazhdimësi se janë duke bërë përpjekje për të vendosur rend dhe ligj në veri, duke i shuar institucionet paralele serbe.
Katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin-Potoku – udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë që prej majit të vitit të kaluar, kur ata i kanë marrë mandatin në zgjedhjet lokale të prillit të shkuar që u bojkotuan nga popullata shumicë serbe. Serbët lokalë – megjithëse kanë marrë pjesë në peticionin për shkarkim të kryetarëve – e kanë bojkotuar procesin më vonë, pas thirrjes së Listës Serbe. Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Më 2013, Kosova e Serbia kanë arritur marrëveshje në kuadrin e dialogut për normalizimin e raporteve në Bruksel për shuarjen e institucioneve paralele, porse ajo ende nuk është zbatuar plotësisht.
Serbia, në buxhetin për vitin 2024, ka rritur financimin për punën e institucioneve paralele në Kosovë, për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për informimin, por edhe për mbështetje për klerikët dhe murgjit në Kosovë. E mbështet njashtu edhe punën e Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut dhe investon në projekte mjedisore.