Perspektiva evropiane do të ndërtohet përmes sfidave dhe vendimeve të guximshme
Shkruan: Fatmir Besimi
“Evropa nuk do të krijohet menjëherë, as sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, me ç’rast e para është solidariteti” – Robert Schuman, një nga themeluesit e Bashkimit Evropian.
Javën e kaluar festuam 9 Majin, Ditën e Evropës – ditën kur u publikua Deklarata e Schumanit, e cila konsiderohet si hapi i parë drejt krijimit të Bashkimit Evropian. Javën e ardhshme në Bruksel do të mbahet dialogu i rregullt vjetor, ekonomik dhe financiar ndërmjet Bashkimit Evropian, vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Në kuadër të dialogut do të diskutohet politika fiskale, stabiliteti makroekonomik, nxitja e rritjes ekonomike, krijimi i vendeve të reja të punës, reformat strukturore të rimëkëmbjes nga kriza dhe forcimi i rezistencës së ekonomive, si dhe politika sociale. Dialogu është pjesë e përgatitjeve tona si vend pretendues për anëtarësim për semestrin evropian, i cili paraqet koordinim vjetor të anëtarëve për tema socioekonomike dhe harmonizim të politikave ekonomike dhe buxhetore me vendimet e miratuara në nivel të BE-së. Korniza për menaxhimin ekonomik në Union është tregues i mirë i kohezionit dhe njëkohësisht i qasjes multilaterale për koordinimin e një prej pikësynimeve më të rëndësishme të përbashkëta, zhvillimin ekonomik dhe social, si dhe mirëqenien e qytetarëve të BE-së.
Këto dy ngjarje ishin shkas i mjaftueshëm që këtë kolumnë t’ia dedikoj temës që më ka inspiruar vazhdimisht ndër vite – anëtarësimi në BE dhe e ardhmja evropiane. Në këtë tekst, lexuesit do t’i ofrohet pasqyrë e thjeshtësuar, por edhe e plotë rreth procesit që po kalojmë në rrugën drejt anëtarësimit në BE (me fokus reformat ekonomike), ajo që na paraprin para nesh, por edhe përfitimet që na presin kur do bëhemi pjesë e familjes së madhe evropiane.
BE-ja do të ndërtohet përmes krizave dhe do të jetë rezultat i zgjidhjeve
Në kohë të përkimit të disa krizave ekonomike dhe globale, kur politikëbërësit janë destinuar në lehtësimin e efekteve dhe forcimin e rezistencës së ekonomive është adekuate që të merret parasysh perspektiva e ardhshme e shtetit dhe e ekonomisë, ose siç kam shkruar shumë herë për “tablonë e madhe”, që të mos harrojmë pikësynimet bazë dhe rrugën drejt një të nesërme më të mirë. “Evropa do të ndërtohet përmes krizave dhe do të jetë rezultat i zgjidhjeve”, theksoi një nga themeluesit e BE-së, Jean Monnet. Në kushtet kur në tokën evropiane zhvillohet konflikti ushtarak më i madh dhe më i rrezikshëm që nga Lufta e Dytë Botërore, invazioni rus ndaj Ukrainës, perspektivat e disa vendeve po përforcohen, përfshirë Ballkanin Perëndimor, për integrim sa më të shpejtë në Union. Nga ana tjetër, disa kriza të njëpasnjëshme ekonomike ngadalësojnë zhvillimin e ekonomive dhe kërkojnë përpjekje shtesë për konvergjencën e tyre.
Dialogu ekonomik dhe financiar me BE-në është rrugë e duhur për arritjen e qëllimeve evropiane, përgatitje për anëtarësimin dhe semestrin evropian. Në fund të fundit, vetë semestri evropian filloi si përgatitje dhe më tej u shndërrua në kornizë për koordinimin e politikave ekonomike dhe sociale të shteteve anëtare. Nevoja për përforcimin e politikave të përbashkëta ekonomike të shteteve anëtare, si dhe për koordinimin më të mirë në aspektin e politikave sociale, doli në pah sidomos pas krizës financiare globale në vitin 2008. Vendet anëtare hasën në nevojë për harmonizim më të mirë të pikësynimeve të buxheteve nacionale, si dhe të politikave për nxitjen e rritjes, punësimit dhe kujdesit social në nivel të BE-së. Kështu, në vitin 2011, u zbatua cikli i parë i Semestrit Evropian. Pikësynimet e semestrit lidhen me konvergjencën dhe stabilitetin e BE-së, stabilitetin makroekonomik dhe përkrahjen e rritjes.
Në prag të BE-së – koordinimi për politikat ekonomike dhe sociale
Për përmirësimin e mëtejshëm të koordinimit të Unionit me anëtarët potencialë të rinj, nga muaji tetor i vitit 2013, në Strategjinë e zgjerimit u vendos qasje e re e ashtuquajtur Semestri i thjeshtësur evropian. Që nga tetori 2014, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia janë ftuar nga Komisioni Evropian për të përforcuar menaxhimin ekonomik përmes përgatitjes së programeve për reformat ekonomike.
Programi i reformës ekonomike (ang. Economic Reform Programme – ERP) është dokumenti strategjik më i rëndësishëm në dialogun ekonomik me KE-në. Ai hartohet çdo vit dhe është përgatitje për pjesëmarrje në procesin e mbikëqyrjes ekonomike dhe fiskale të shteteve anëtare të BE-së, respektivisht për përfshirje në procesin e Semestrit Evropian për koordinimin e politikave ekonomike të BE-së. Programi është kornizë afatmesme e politikës makroekonomike dhe fiskale dhe pasqyrë e detajuar e reformave strukturore për rritjen e konkurrencës së ekonomisë dhe krijimin e vendeve të punës. Përndryshe, sipas rregullave të këtij procesi në KE, Ministria e Financave është përgjegjëse për koordinimin e përgatitjes së këtij dokumenti në nivel të Qeverisë. Pas dorëzimit të tij në KE, programi diskutohet me përfaqësuesit e BE-së në kuadër të dialogut ekonomik dhe financiar në Këshillin e BE-së dhe përfundon me miratimin e konkluzioneve të përbashkëta me rekomandime për vendin, të cilat duhet të merren parasysh gjatë përgatitjes së programit të ardhshëm të reformave ekonomike.
PRE 2023-2025: Përmirësimi i kapitalit njerëzor dhe konkurrencës si dhe transformimi i gjelbër
Programi i reformave ekonomike 2023-2025 u miratua nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut më 1 shkurt 2023 dhe në të njëjtën ditë u dorëzua zyrtarisht në Bashkimin Evropian. Programi është përgatitur në bazë të Strategjisë fiskale 2023-2027, kornizës buxhetore afatmesëme për periudhën 2023-2027, strategjive sektoriale nacionale, strategjive dhe dokumenteve rajonale, axhendës së gjelbër dhe dixhitale të BE-së, si dhe Planit ekonomik dhe investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, bazohet edhe në rekomandimet e Raportit të KE-së për progresin e vendit në muajin tetor 2022.
Kur flasim për reforma strukturore dhe prioritete në axhendën reformuese, programi për reformat ekonomike është dokumenti më gjithëpërfshirës, i cili mundëson monitorimin e shkallës së realizimit të reformave deri në realizimin e plotë të tyre. Në program, si sfida kryesore për forcimin e konkurrencës dhe sigurimin e rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të ekonomisë sonë janë: 1) avancimi kapitalit njerëzor; 2) tranzicioni i gjelbër, si dhe 3) përmirësimi i konkurrencës së ndërmarrjeve vendase dhe integrimi i mëtejshëm i tyre në zinxhirët globalë, si dhe formalizimi i ekonomisë. Këto pikësynime janë edhe në aspekt të pikëpamjeve të KE-së lidhur me situatat paraprake dhe programin ekonomik paraprak, që tregojnë përmirësim të cilësisë dhe rëndësisë së sistemit arsimor për rritjen e punësimit, përmirësimin e konkurrencës së kompanive vendase, inkluzionin në zinxhirët globalë të furnizimit dhe reduktimin e ekonomisë joformale, si dhe modernizimin e sektorit energjetik dhe tranzicionin në energji të pastër.
Pavarësisht krizave të shumta që përkuan gjatë viteve të fundit, qeveria jonë vazhdoi të punojë në reforma që do të na afrojnë me pikësynimet tona – anëtarësimin në Union, por edhe avancimin e përgjithshëm të sistemit dhe performancës së brendshme, respektivisht sigurimin e kushteve evropiane të jetesës në vendin tonë. Në fushën e financave publike, do ta veçoja miratimin e Ligjit të ri të Buxheteve, me të cilin vendoset buxhetimi afatmesëm dhe korniza ligjore për këshillin fiskal dhe rregullat fiskale. Reforma e sistemit tatimor ka fillaur edhe në bazë të strategjisë së njëjtë, reformë e cila bazohet në konceptin e zgjerimit të bazës tatimore përmes rishikimit të kostove tatimore dhe reduktimit të ekonomisë gri.
Në Ministrinë e Financave u krijua Sektori i Menaxhimit të Investimeve Publike, ndërsa në fazë të avancuar është edhe harmonizimimi i tekstit të Propozimligjit për Partneritetin Publik dhe Privat. Nga aspekti i transformimit dixhital në sektorin publik, do të theksoj se ka filluar procesi i dixhitalizimit në financat publike, respektivisht për krijimin e Sistemit të Integruar Informativ për Menaxhimin e Financave, Sistemit Informativ për Ndihmën Shtetërore dhe Sistemit Informativ për Menaxhimin e të Hyrave Tatimore të Drejtorisë së të Ardhurave Publike. Gjithashtu, u projkektuan masa dhe aktivitete në drejtim të përmirësimit të efikasitetit dhe efektivitetit të shpenzimeve publike, disiplinës fiskale, qëndrueshmërisë së borxhit dhe menaxhimit transparent të financave publike.
Strategjitë e rëndësishme që do të miratohen këtë vit janë Strategjia e specializimit smart, Strategjia e formalizimit të ekonomisë joformale për periudhën 2023-2025, si dhe Strategjia e zhvillimit të kapitalit njerëzor, 2030. Është përgatitur edhe Plani operativ për programe aktive dhe masa për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2023 dhe po ashtu punohet në përmirësimin e kornizës ligjore për tregun e punës, si dhe në përmirësimin e cilësisë së sistemit arsimor dhe shëndetësor. Është duke u përgatitur korniza ligjore për krijimin e Fondit për rritjen e sigurisë energjetike për uljen e ndjeshmërisë së vendit ndaj goditjeve të jashtme dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik.
Të gjitha aktivitetet e mësipërme janë në drejtim të përmbushjes së pikësynimeve të përcaktuara sipas konkluzioneve të përbashkëta me BE-në dhe në drejtim të tejkalimit të sfidave kyçe dhe rimëkëmbjes së qëndrueshme ekonomike, si dhe rezistencës më të madhe të ekonomisë dhe qëndrueshmërisë fiskale.
Skriningu bilateral
Krahas përmirësimit të strukturës së ekonomisë, konvergjenca e vendeve drejt Bashkimit Evropian realizohet nëpërmjet harmonizimit me legjislacionin mbinacional të Unionit (Acquis communautaire), respektivisht të drejtave dhe detyrave që i lidhin anëtarët e Bashkimit Evropian. Janë vendosur kritere politike si demokracia, të drejtat e njeriut, respektimi dhe mbrojtja e minoriteteve, funksionimi i institucioneve, sundimi i ligjit. Harmonizimi kryhet edhe për sa i përket kritereve ekonomike, respektivisht ekonomisë funksionale të tregut, konkurruencës, stabilitetit makroekonomik. Me pak fjalë, vendet e reja anëtare gjatë anëtarësimit duhet të jenë plotësisht të përgatitura për t’iu bashkuar qëllimeve dhe detyrimeve të përbashkëta të Unionit. Gjithashtu, kriteret duhet të zbatohen në strukturat administrative, respektivisht nevojitet që vendet kandidate të krijojnë kapacitete administrative që do të jenë të mjaftueshme për zbatimin e asaj që parashikon korniza ligjore e harmonizuar.
Përpara se të fillojë procesi i harmonizimit të BE-së me vendet kandidate për anëtarësim, kryhet procesi i skriningut, ku KE-ja prezanton të gjithë legjislacionin që duhet të transponohet në legjislacionin nacional për secilin kapitull veçmas, ndërsa vendi kandidat prezandon situatat aktuale. Pas përgatitjes së Raportit të skriningut të kryer (Screening Report) nga KE-ja, hapen kapitujt për negociata, me vendim të Këshillit të BE-së. Gjatë negociatave, vendi detyrohet me afate të kryejë harmonizim të plotë me legjislacionin evropian. Pas kryerjes së negociatave, përcaktohet data për anëtarësim të plotë në BE.
Lidhur me klasteret që kanë të bëjnë me financat publike, deri më tani është zhvilluar skriningu bilateral për gjysmën e fushave/kapitujve. Deri më tani janë përfshirë kapitujt që kanë të bëjnë me stabilitetin makroekonomik, aftësinë e sektorit financiar për t’i destinuar kursimet në financim produktiv, kontrollin e brendshëm financiar publik, mbrojtjen e interesave financiare të BE-së, mbrojtjen e euros nga falsifikimi, lëvizjet e kapitalit dhe pagesat, parandalimin e pastrimit të parave, bankat dhe institucionet financiare, sigurimet dhe sigurimet pensionale, tregjet e letrave me vlerë, tatimet indirekte dhe direkte, bashkëpunimin administrativ dhe ndihmën e ndërsjellë dhe kapacitetin operativ. Fatmirësisht, shumica e rekomandimeve të marra gjatë skriningut janë në proces zbatimi, ndërkohë ka edhe të tilla që janë realizuar. Por, kemi ende shumë detyrime përpara nesh, anëtarësimi në BE është sfidë serioze dhe nëse jemi të përkushtuar do ta fitojmë këtë sfidë, bashkë me shpërblimet e vlefshme të saj .
Përfitimet ekonomike dhe joekonomike të BE-së
Shumë shkurt, do t’i referohem përfitimeve të anëtarësimit në BE, për të cilat kam shkruar shumë deri tani, por do të kthehem sërish sepse nuk do të doja t’i mohoja lexuesit tërësinë e këtij leximi. Bashkimi Evropian është para së gjithash bashkim ekonomik, kështu është historia dhe e tashmja e tij. Mirëqenia ekonomike dhe sociale ka qenë gjithmonë arsyeja e lidhjes që nga Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut. Bëhet fjalë për një nga superfuqitë ekonomike, me një treg prej mbi gjysmë miliardi konsumatorësh dhe zinxhirë të fuqishëm të lidhur në tregtinë globale. Për ekonomitë e vogla (si e jona), vetëm qasja tek konsumatorët e rinj në tregun e vetëm evropian premton shumë për sa i përket përshpejtimit të rritjes. Sipas asaj që u potencua më sipër është e lehtë të konkludohet se përfitimet ekonomike janë më të shumtat. Kështu do i klasifikoj, në përfitime ekonomike dhe jo ekonomike.
Në kuadër të përfitimeve ekonomike, fillimisht do të theksoj përmirësimin e standardit të jetesës, si efekt i anëtarësimit në BE. Sipas studimeve të kryera dhe analizave të serive më të gjata kohore, efekti i BE-së vlerësohet prej 12%-20% të PBB-së shtesë për banor. Kur bëhet fjalë për efektet e tregut të vetëm evropian mbi tregtinë dhe PBB-në, disa studime i kuantifikojnë ato mesatarisht për rreth 10% të PBB-së në BE. Midis vendeve të reja anëtare, vërehet gjithashtu përmirësim i klimës për zhvillimin e biznesit, si dhe progres në reformat strukturore. Përfitim është edhe qasja në fondet evropiane, të cilat bëhen të disponueshme me çdo nivel të ri në rrugën e integrimit. Buxheti i përgjithshëm i BE-së për periudhën 2021-2027 vlerësohet në rreth 2,000 miliardë euro, fonde që janë në drejtim të përkrahjes së fushave të ndryshme me interes për vendet anëtare. Dua të theksoj këtu se gjatë 30 viteve të fundit, përkrahja e BE-së për vendin tonë vlerësohet në mbi 3.3 miliardë euro (përmes granteve dhe përkrahjes makrofinanciare).
Kur flasim për përfitimet joekonomike të anëtarësimit në BE, mund të theksojmë menjëherë demokracinë institucionale dhe qeverisjen e mirë – lirinë e shprehjes, stabilitetin politik, cilësinë e rregullatorëve, efektivitetin e qeverisjes, sundimin e ligjit dhe kontrollin e korrupsionit. Gjithashtu, në BE, shumë çështje të rëndësishme globale trajtohen në mënyrë të koordinuar, që ka rëndësi të veçantë për një ekonomi të vogël si kjo e jona. Një shembull i tillë është ndryshimi i klimës dhe ndotja e tokës dhe e ujit, që përmirëson efikasitetin dhe efektivitetin e ndikimit në krahasim me atë që do të kufizohej në kufij naconalë. Gjithashtu, në këtë ndarje do ta përfshijmë edhe luftën e përbashkët kundër korrupsionit, kontrabandës dhe parandalimin e pastrimit të parave, më tej shkëmbimin ndërkufitar të informacioneve në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, përfshirë edhe konsumatorët. E fundit dhe më e rëndësishmja është siguria që ofron BE-ja, veçanërisht përballë sfidave globale të sigurisë nga sulmet hibride dhe trazirat gjeostrategjike që sjellin shumë pasiguri.
Përkushtim dhe guxim për perspektivën evropiane
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është përcaktimi ynë strategjik që do të sigurojë një perspektivë më të mirë për qytetarët tanë. Kjo të thotë një e ardhme më e mirë për ne dhe brezat e ardhshëm brenda vendit dhe jo jashtë tij. Megjithatë, ky proces nuk është aspak i lehtë dhe as i thjeshtë, që kërkon përkushtim dhe durim të madh, por në të njëjtën kohë guxim për të marrë vendime të rëndësishme. Ashtu siç kemi marrë vendime të guximshme me ndryshimet kushtetuese përpara anëtarësimit në NATO, ashtu edhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian kërkohen vendime të guximshme për ndryshimet kushtetuese që janë pjesë e procesit për hapjen e negociatave me BE-në. Por do të duhet edhe shumë punë dhe angazhim në negociatat për anëtarësimin e plotë në BE.
Në fund, do të doja ta potencoja sërish një mendim të cilin e kam shkruar disa vite më parë, në kolumnën e botuar në vitin 2015 për Ditën e Evropës, dedikuar eurointegrimeve, kur ushtroja detyrën e zëvendëskryeministrit të eurointegrimeve. I njëjti mendim vijon të qëndrojë fuqishëm si shtyllë – “mundësi e vetme për ne është ta vazhdojmë axhendën tonë evropiane”, dhe se ka detyra që duhet t’i kryejmë për t’u bërë pjesë e këtij bashkimi, bazuar në vlerat e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Ta sjellim Evropën në shtëpi!